Arbëri

Shkyçjet e konsumatorëve ilegalë të ujit përcillen me kërcënime e fyerje

shkycje

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” po vazhdon prej një kohe që të shkyçë lidhjet ilegale të ujit dhe po merret me borxhlinjtë. 

Arjeta Mjeku, zëdhënëse në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka thënë se gjatë shkyçjeve të tilla shpesh po përballen me kërcënime e fyerje. 

“Borxhi nuk lidhet me temperaturat, këto aksione s’janë të detyrueshme të kryhen në praninë e medias e me policë, por gjithmonë do të jetë prania e policisë dhe e mediave. Sot kemi pasur kërcënime të shumta, fyerje por s’e zmbrapsim punën këto. Ishim në praninë e policisë... Jam ndier e fyer por kjo s’do të thotë që e ndali punën time”, ka thënë ajo. 

Mjeku ka shtuar se tolerimi i amvisërive dhe bizneseve për shumë vite ka sjellë gjendjen ku ato nuk kanë paguar dhe kanë grumbulluar borxhe. 

“5 milionë euro janë borxhet e sektorit të bizneseve të vogla dhe mëdha dhe 40 milionë euro janë borxhe që nga paslufta. Ndoshta pse i kemi toleruar që pagesat e ujit t’i bëjnë më vonë, ka ardhur deri kjo. Por kjo nuk do të ndodh më, aksionet do të vazhdojnë. Faturat e ujit duhet paguar”. 

Kushtrim Zeneli, menaxher i kontrolleve dhe i ujëmatësve, ka thënë se inspektorët janë dërguar nëpër bizneset me borxhe, por se ato nuk janë përgjigjur. Ai ka theksuar se ka nevojë për inspektorë shtesë. 

“4.7 milionë borxhe janë vetëm në Prishtinë të bizneseve. 2.3 milionë janë jashtë Prishtinës... Prej 1 korrikut do punojmë me dy ndërrime, ftoj konsumatorët të na njoftojnë për keqpërdorime”, ka thënë ai duke treguar tri komuna që qëndrojnë më keq me kyçje ilegale.

“Më keq qëndrojmë me Graçanicën, Drenasin dhe Podujevën. Këto komuna qëndrojnë më keq me humbje të ujit dhe kyçje ilegale. Në Graçanicë për pesë ditë kemi hasur në 20 konsumatorë të kyçur ilegalisht”.