Arbëri

Shkrirja e Akademisë së Drejtësisë në drejtori shihet si cenim i pavarësisë së saj

Në procesin e racionalizimit të agjencive të pavarura është përfshirë përsëri Akademia e Drejtësisë, përkundër që BE-ja edhe më parë e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Shoqëria civile e sheh si cenim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë

Shkrirja e Akademisë së Drejtësisë nga institucion i pavarur në drejtori në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është vënë përsëri në agjendën e Qeverisë. Vendimi i një jave më parë për racionalizim të kësaj akademie nuk i është bërë i ditur vetë Akademisë së Drejtësisë.

“Akademia e Drejtësisë është njoftuar përmes mediave për vendimin dhe propozimet në draft-projektligj. Në takimin e radhës së Këshillit Drejtues do të trajtohet kjo çështje dhe më pas do të dalim me prononcim”, kanë thënë nga kjo akademi për KOHËN.

Mirëpo, Ministria e Punëve të Brendshme, që është përgjegjëse për projektligjin për reformë në administratën publike, nuk ka dhënë detaje se pse Akademia e Drejtësisë është futur në pakon e ndryshimeve edhe pas kundërshtimit nga ana e Bashkimit Evropian e shoqërisë civile. Këta të fundit insistojnë që një racionalizim i tillë e cenon pavarësinë e gjyqësorit.

“Në kuadër të çfarëdo reforme, do të ishte gabim që të preket qëllimi i vetë Akademisë së Drejtësisë e të kalohet nën ombrellën, qoftë të këshillave apo të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo do të ishte një cenim i drejtpërdrejtë i sistemit të drejtësisë”, ka deklaruar Yll Zekaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Tutje, Zekaj shton se Strategjia për Sundimin e Ligjit e përcakton qartë se duhet të ruhet pavarësia e Akademisë së Drejtësisë.

“Strategjia për Sundimin e Ligjit e përcakton që Akademisë së Drejtësisë duhet t’i forcohet mandati i saj, të jetë sa më e pavarur dhe të ofrojë ato që ka për mandat të ofrojë, që janë trajnimet dhe ngritjet personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përkatësisht krijimin e kuadrove të reja të sistemit të drejtësisë”, ka thënë Zekaj.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë që përgjegjëse për reformë është MPB-ja, derisa shtojnë se gjatë trajtimit të projektligjit do të rregullohet statusi i Akademisë së Drejtësisë.

“Gjatë fazës së trajtimit të këtij Projektligji në Kuvend, por edhe në përputhje me të gjeturat nga Koncept-Dokumenti për punën e Akademisë së Drejtësisë, do të ndërmarrë veprime konkrete që sa më mirë të rregullohet statusi ligjor i këtij institucioni duke garantuar në tërësi pavarësinë e gjyqësorit dhe sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Akademia e Drejtësisë është pjesë e fazës së parë të racionalizimit të agjencive të pavarura, që me insistim të BE-së nuk do të duhej të ndodhte. Pavarësisht kësaj, në gusht të vitit 2020 është hartuar një projektligj që ndryshon statusin e Akademisë. Sipas këtij dokumenti, Akademia e Drejtësisë merr emrin Drejtori e Përgjithshme për Trajnime, e cila harton programet e trajnimit dhe organizon trajnimet për gjyqtarë dhe prokurorë të shtetit dhe trajnime të tjera në koordinim me KGjK-në dhe KPK-në.

Faza e parë e racionalizimit të agjencive të pavarura dhe rregullatorëve ka filluar në vitin 2018 dhe do të duhej të përfundonte brenda po atij viti. Me planin e veprimit, 7 agjenci të pavarura do të shuheshin apo të kalonin në kuadër të institucioneve përkatëse. I gjithë ky proces, i ndarë në katër faza do të duhet të përfundonte në vitin 2022. Procesi i Reformës së Administratës Publike rrjedh prej Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, të nënshkruar më 2015 e pastaj edhe me Agjendën për Reforma Evropiane të iniciuar nga Bashkimi Evropian.