Fushë-Kosovë

Shkollat pa emra

Dy objekte shkollore në Fushë-Kosovë kanë mbetur pa emërtime që prej funksionalizimit të tyre më 2019 e 2020. Zyrtarët komunalë kanë thënë se Ministria e Arsimit nuk po ua licencon si shkolla të pavarura, për shkak të mungesës së hapësirave të jashtme. Ata thonë se janë duke bërë përpjekje që ta rrisin hapësirën në këto shkolla, por deri atëherë e pranojnë se sfidë mbetet mbajtja e orëve të edukatës fizike

Të paemërtuara kanë mbetur dy objekte të reja shkollore të Fushë-Kosovës që prej funksionalizimit të tyre më 2019 e 2021. Për shkak të mosplotësmit të kriterit për hapësirën e jashtme prej 20 ari, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk po i licencon këto shkolla si të pavarura. Aktualisht dy objektet shkollore që tash njihen me emërtimin Aneksi 1 dhe Aneksi 2, funksionojnë në kuadër të Shkollës “Mihal Grameno”. 

“Ne kemi aplikuar në Ministrinë e Arsimit që ato të emërtohen si shkolla të veçanta dhe të pavarura nga Shkolla ‘Mihal Grameno’, por si rezultat i kritereve, në këtë rast hapësirës e cila nuk është e mjaftueshme, ne jemi në proces të emërtimit dhe pavarësimit të atyre shkollave. Edhe përbrenda atyre shkollave funksionojnë zv.drejtorët dhe jo drejtorët për shkak se nuk mund të emërojmë drejtorë në një shkollë kur është aneks i shkollës tjetër”, është shprehur Fatlum Berisha. 

Për shkak të mungesës së hapësirave, nxënësit e këtyre dy objekteve nuk kanë kushte për të zhvilluar orët e edukatës fizike. Drejtori Berisha e ka quajtur sfidë mbajtjen e këtyre orëve mësimore. Ai ka theksuar se Aneksi 1 ka hapësirë prej 13 arë, kurse Aneksi 2 19. Berisha shpreson se hapësirën e jashtme e këtyre dy objekteve do të shtohet nëpërmjet Rregullores për bonuset e zonimit, duke u marrë pronë operatorëve privatë e atyre t’ua mundësojnë shtimin e hapësirës së ndërtimit. 

“Kriteri sipas Udhëzimit Administrativ është 20 ari, por duke e pasur parasysh që na jemi në proces të pavarësimit të atyre shkollave, na shpresojmë që brenda një afati shumë të shkurt, na do t’i plotësojmë kriteret dhe interesi jonë është sa ma shpejt që është i mundshëm t’i pavarësojmë edhe këto dy objekte”, ka theksuar drejtori për Arsim në Fushë-Kosovë. “Ato shkolla janë në proces të pavarësimit të tyre. Njëra ka numrin e nxënësve diku 1700, ndërsa tjetra i ka afro 800 nxënës. Që do të thotë, sa i përket numrit të nxënësve ato i plotësojnë kriteret. Është hapësira ajo e cila për momentin nuk e plotëson kriterin e nevojshëm nga Ministria e Arsimit. Dhe në momentin e parë që na kemi me arritë që me e përshtat hapësirën, interesi ynë me i pavarësu sa më shpejt që është e mundshme”. 

Drejtori Berisha thekson se sa i përket infrastrukturës së brendshme, këto objekte i plotësojnë kushtet. 

“Bile, bile janë, janë më të kompletuara se shkollat e tjera, sepse janë shkolla të cilat janë bërë tash dhe e kemi pas një kujdes të veçantë duke pas parasysh edhe sallat e trajnimeve edhe kabinetet, edhe janë të pajisura faktikisht me të gjitha gjërat e nevojshme”. 

KOHA i ka adresuar pyetje Ministrisë së Arsimit, por gjatë ditës nuk ka pranuar përgjigje. Drejtori për Arsim në Fushë-Kosovë ka thënë se për këto dy objekte janë propozuar emrat “Idriz Ajeti” e “Haki Bajrami”, të cilët thotë se janë miratuar edhe në Kuvendin Komunal. Sipas tij, në momentin që licencohen nga MASHTI, emërtimet janë të gatshme.