Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, uji ka depërtuar në podrumin e Klinikës së Pulmologjisë, por që ende s’është konstatuar nëse ka pasur dëme. Kjo sipas SHSKUK-së ka ndodhur për shkak se rrjeti i kanalizimit s’ka arritur të përballojë sasinë e ujit.
SHSKUK-ja tha të dielën se aty nuk ka pasur aparatura mjekësore, derisa ekipet e QKUK-së janë në vendngjarje.
“Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë ditën e sotme në Prishtinë, kanë përfshirë edhe Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku si pasojë e intensitetit të lartë të tyre, rrjeti i përpunimit të kanalizimit nuk ka arritur të përballojë sasinë e ujit. Ekipet teknike të QKUK-së, janë në gjendje gatishmërie, deri më tani uji ka depërtuar në bodrumin e Klinikë së Pulmologjisë, ku fatmirësisht nuk ka pasur aparatura mjekësore. Ekipet e QKUK-së, bashkë me ato të klinikave tjera janë në vendngjarje dhe deri më tani nuk është konstatuar nëse ka pasur dëme”, thuhet në njoftimn në Facebook.
Për pasojat eventuale të shkaktuar nga reshjet e shiut, u tha se QKUK-ja do të dalë me njoftim.