Arbëri

Shihet dekurajues refuzimi i 344 kërkesave për status të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

Fisnik Mehmeti, jurist në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se refuzimi i këtyre kërkesave ndikon në dekurajimin e viktimave për të ndjekur procedurat e mëtejshme. E për refuzimin e njohjes së këtij status, QKRMT-ja deri më tash ka ngritur 50 padi

344 kërkesa për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë janë refuzuar nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës.

Fisnik Mehmeti, jurist në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se refuzimi i këtyre kërkesave ndikon në dekurajimin e viktimave për të ndjekur procedurat e mëtejshme. Sipas tij, që nga viti 2018 kur ka nisur ky proces, për këtë status kanë aplikuar mbi 2.200 persona.

“Numri gjithsej i rasteve të cilat kanë aplikuar është mbi 2200, prej të cilave rreth 1.726 është numri i cili iu ka pranuar statusi, ndërsa 344 është numri ndaj të cilëve është refuzuar statusi. Ka raste, për të cilën e dinë ngjarjen e njëri-tjetrit që është refuzuar, dhe mund të ndodh që ndikon që pak a shumë ta zbehë ose ta demotivojë atë që t'i ndjekë këto procedura, normal që kjo mund të jetë njëra prej arsyeve”, ka theksuar Mehmeti.

E Arrita Rezniqi, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka theksuar se vendimet e Komisionit për mosnjohjen e statusit në shumicën e rasteve janë të njëjta.

“Kemi pranuar sepse kanë qenë vendime kryesisht shabllon dhe të paarsyetuara mirë dhe kjo ka ndikuar normalisht drejtpërdrejt edhe në aspektin e të drejtës për një mjet juridik-efektiv të palëve, por që ne kemi pasur mundësinë prapëseprapë që këto raste t'i atakojmë përmes rrugëve gjyqësore edhe përmes ofrimit të ndihmës juridike falas. Megjithatë, duhet pasur parasysh në çdo rast që çdo vendim që lëshohet nga ana e komisionit duhet të ketë arsyetimin e duhur, duhet të trajtohen brenda një kohe sa më optimale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka bërë të ditur ajo.

Për refuzimin e njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) deri më tash ka ngritur 50 padi.

“Sa i përket organizatës sonë, deri më tani ne kemi ngritur për mbi 50 padi, prej të cilave në momentin që janë kthyer rastet në rishqyrtim tek organi administrativ, rreth 15 prej tyre veçse janë njohur gjatë fazës së rishqyrtimit, që nuk kanë pasur nevojë të shkojnë tutje prapë në procedura gjyqësore. Mirëpo i kemi këto raste të tjera, të cilat prapë janë refuzuar, pasi rasti është kthyer në rishqyrtim nga ana e gjykatës dhe për të cilat ne kemi vazhduar për herën e dytë ngremë padi dhe kemi kërkuar nga Gjykata e Departamentit Administrativ që të vendosim meritorisht për këto raste”, ka theksuar Mehmeti, jurist në QKRMT.

Leonora Selmani, kryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ka bërë të ditur se vendimet për njohjen apo jo të statusit merren në konsultim me Avokatin e Popullit.

“Në vendimet e lëshuara të Komisionit në rastet e refuzimit të statusit, Komisioni në bazë edhe të konsultimeve me Avokatin e Popullit, përpilon arsyet e marrjes së këtij vendimi. Duke qenë se ky është një proces konfidencial, identiteti dhe informacionet të cilat mund të zbulojnë identitetin e palës nuk janë pjesë e këtij arsyetimi. Komisioni i shtjerr të gjitha mundësitë që i ka në dispozicion për të ardhur deri te marrja e një vendimi, përfshirë dhe marrjen e palës në intervistë”, ka theksuar Selmani.

Aplikimi për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka nisur më 2018 dhe ky proces do të zgjasë deri më 15 maj të 2025-tës. Atyre që u njihet ky status, përfitojnë pension dhe shërbime të ndryshme falas.

Deri më tani, këtë status e kanë mbi 1.700 persona. Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t'i kontribuar kujtesës kolektive.