Shfrytëzimi i pushimit mjekësor si pushim vjetor, nga ana e punëtorëve të administratës në gjyqësor, është ngritur si shqetësim në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), e cila është mbajtur të martën.
Në mbledhjen ku është prezantuar raporti i punës i Njësisë për Inspektim Gjyqësor, nga ushtruesi i detyrës së drejtori të kësaj njësie Dul Gjoci, gjyqtari Artan Abazi ka pyetur rreth shfrytëzimit të pushimeve mjekësore nga ana e punëtorëve të administratës gjyqësore.
“Nga praktika shumica e punëtorëve, pushimin mjekësor e llogarisin si pushim të pashfrytëzuar që ju ka mbetur nga pushimi vjetor. Në këtë kuptim, a keni mundur të konstatoni që me të vërtetë ne e dimë që sëmundja nuk është e paraparë të ndodhë, por a keni mundur gjatë inspektimit që këto pushime me të vërtetë merren atëherë kur punëtori ka nevojë apo vazhdon kjo mendësia që pushimi mjekësor konsiderohet si pushim i mbetur i pashfrytëzuar i vjetër. Kjo është një çështje që do të ndikojë në efikasitetin e sistemit gjyqësor që punëtorët mos të mungojnë atëherë kur nuk kanë arsye në vendin e punës”, ka deklaruara Abazi, raporton KP.
Gjoci ka theksuar se kjo çështje është problematikë shqetësuese.
“Si kërkesë ka ardhur nga menaxhmenti i gjykatave, nga ana e kryetarëve edhe administratorëve. Është një problematikë shqetësuese që ata në takimet të cilat i kemi pasur në asamblenë e kryetarëve e kanë shprehur si brengë. Njësia ka vepruar në bazë të kërkesës, ku të gjitha gjetjet në raport me pushimet mjekësore i ka vendosur në raport edhe me arsyeshmërinë e tyre. Ka pasur nuanca ku është kuptuar në mënyrën edhe qysh e elaboruat ju që dikush e kupton që i ka 20 ditë të cilat ia mundëson ligji edhe detyrimisht i shfrytëzon ato. Ka pasur shfrytëzime edhe nga ana e vet administratorëve të gjykatave”, është shprehur Gjoci.
Ndër të tjera ai ka thënë se Njësia për Inspektim Gjyqësor ka realizuar tetë inspektime për çështje të ndryshme gjatë vitit të kaluar.
Ai është ankuar për mungesë stafi në këtë njësi.
“Për vitin që e lamë pas njësia ka arritur edhe për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të zyrtarëve brenda kësaj zyre, si shkak i pensionimit të disa zyrtarëve gjatë vitit që e lamë pas, ka arritur jo vetëm që ta përmbush planin por ta tejkalojë të njëjtin. Ka arritur t’i kryej tetë inspektime me tema të ndryshme, me tema të cilat i keni edhe para jush. Unë do i përmendi kalimthi disa prej tyre të cilat besoj se kanë pasur efekt sidomos gjatë trajtimit të tyre dhe pas rezultateve të cilat kanë dalë. Tema e parë ndërlidhet me inspektimin që ka të bëjë me identifikimin e arsyeve për hedhjen e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë, lëndë të caktimit apo të vazhdimit të paraburgimit. Njësia ka bërë inspektimin e 16 lëndëve”, ka deklaruar ai.
Në mbledhjen e sotme të KGJK-së është caktuar Shkelzen Syla, si ushtrues detyre i gjyqtarit mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Po ashtu, gjyqtarja Lirije Maksutaj është emëruar si gjyqtare e shkallës së parë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.