Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dhënë detaje për arratisjen e Faton Hajrizit, i cili ka ikur nga burgi i Smrekonicës.
Sipas njoftimit të SHKK-së, Hajrizi është larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese, por që gjatë viteve të fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe i ka respektuar rregullat e rendit shtëpiak.
I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit.
SHKK-ja ka thënë se gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, Shërbimi Korrektues ka shtuar se ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues.
“I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale. Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.
“Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për bashkëpunim për të lokalizuar dhe arrestuar Faton Hajrizin, që është arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë të Vushtrrisë, të shtunën.
Faton Hajrizi nga Skenderaj nuk është figurë e panjohur për Policinë e Kosovës. Është hera e nëntë që ka ikur nga burgjet.