Rreth 400 mijë euro të kontratës së shërbimit “Arkitekti i Qytetit” parashihet të shkojnë në digjitalizimin dhe zhvillimin e programeve softuerike. Dinamika e zbatimit të kontratës thotë se rezultatet e para të kësaj pune duhej të shiheshin brenda 100 ditësh. Por, pas rreth 320 ditë prej që është nënshkruar kontrata 12-milionëshe, shumica e punëve nuk janë afër finalizimit
Janë bërë 322 ditë prej kur Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Përparim Rama ka nënshkruar kontratën për shërbimin “Arkitekti i Qytetit”, me konsorciumin e përberë prej kompanive “Anarch” e “Ardi Ç”.
400 mijë euro nga kontrata prej 12 milionë eurosh ishin paraparë për digjitalizimin e gjithë procesit të lejeve dhe për përcjelljen online të ndërtimit në të gjitha fazat. Kjo duhej të kryhej brenda 100 ditëve të para të zbatimit të kontratës, por punët janë larg përfundimit, ndonëse në qershor bëhet një vit nga nënshkrimi i kontratës.
Bazuar në dokumentin që tregon dinamikën e zbatimit të kontratës, një nga punët që do të duhej të kryheshin brenda 28 ditëve është përfundimi i një portali interaktviteti me qytetarët. Ai nuk është lansuar ende.
Në mes të ditëve 45 dhe 69 prej fillimit të nisjes së shërbimit të “Arkitektit të Qytetit”, do të duhej të lansohej ‘eNëshkrimi’, dhe për të do të njoftohej edhe publiku. Por, në uebfaqen e Komunës as nuk ka një rubrikë për këtë shërbim, dhe as publiku s’është njoftuar për këtë aktivitet.
Në planin e punës theksohet se prej ditës së 90-të mund të aplikohet procedura eLeja, përkatësisht aplikimi, pa prezencë fizike në të gjitha fazat. Në uebfaqen e Komunës ka një rubrikë që është e emëruar eLeja, por ky modul është realizuar disa vjet më parë nga një kolegj privat.
Në ditën e 100-të, sipas planit që gjendet në faqen e Komunës, do të duhej të bëhej lëshimi i modulit “Portali i Qytetarëve” dhe organizimi i faqes zyrtare, hapja e forumeve të diskutimit, lidhja me faqet në rrjetet sociale e edhe shërbime të tjera.
As ky portal nuk ekziston.
Për të gjitha punët e pakryera konform dinamikës për zbatimin e kontratës, KOHA ka adresuar pyetje te Komuna e Prishtinës, por nuk ka pranuar përgjigje.
Nuk ka shprehur gatishmëri të përgjigjet as arkitekti Astrit Nixha, i cili është pronar i njërës prej kompanive të konsorciumit fitues, e po ashtu edhe menaxher i projektit.