Shefi i Urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan “Dr.Nagip Rexhepi”, Leotrim Kurteshi, derisa e ka njoftuar dorëheqjen e tij të enjten nga ky post, ka pretenduar se një pacient ka vdekur si pasojë e neglizhencës së thirrjes së tij nga ana e mjekut në Urgjencë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurteshi ka përmendur edhe disa siç i quan ai, shkelje të tjera nga ana e stafit mjekësor, për çka ka ftuar prokurorinë për hetim.
“Ju njoftoj se jap dorëheqje nga pozita e shefit të Urgjencës në QKMF-në ‘Dr.Nagip Rexhepi’ - Gjilan. Për arsye morale e profesionale për skandalet e të tjerëve. Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë rastin. Shkaku i superskandaleve është se mjeku i Urgjencës nuk i përgjigjet thirrjes së pacientit për ndihmë (nuk shkon fare); për fatkeqësi, pacienti ka ndërruar jetë Infermierë të Urgjencës në orar të punës janë vërejtur duke pirë kafe në një kafiteri pranë QKMF-së. Kam organizuar mbledhje të Urgjencës për të shprehur shqetësimin për këto raste dhe kam ftuar drejtorin e QKMF-së, zëvendësdrejtoreshën, kryeshefen, koordinatoren e cilësisë për të marrë pjesë. Dhe për çudi. Ata NUK KANË ARDHUR”, ka shkruar ndër tjera ai.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar se hetimet për rastin kanë nisur.
“Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë që të ndërmarrin veprime hetimore në mënyrë që të sqarohen pretendimet lidhur me këtë çështje”, ka thënë për KOHËN Liridona Xheladini, zëdhënëse e këtij institucioni.