Arbëri

Shefi i delegacionit boshnjak në KiE premton votë pro Kosovës

Bosnjë-Hercegovina

Shefi i delegacionit të Bosnjë-Hercegovinës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Sasha Magazinoviq, ka thënë se do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në KiE, duke u bazuar në bindjen se “qytetarët kosovarë i meritojnë mundësitë e ofruara nga kjo organizatë”.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se shqiptarët dhe serbët duhet më në fund të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Sot në Strasburg shprehim mendimin tonë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Nëse e miratojmë këtë opinion, supozohet që të merret një vendim final në mes të majit, që është nën autoritetin e Komitetit të Ministrave, ku shtetet anëtare përfaqësohen nga ministra të punëve të jashtme ose përfaqësues të përhershëm diplomatik në Strasburg”, ka deklaruar ai.

Sipas zyrtarit të Bosnjë-Hercegovinës, shqiptarët dhe serbët tashmë jetojnë në një shoqëri më të avancuar.

“Që shqiptarët dhe serbët dhe të gjithë të tjerët më në fund të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, se ata jetojnë në një shoqëri më të avancuar demokratikisht se sa është sot dhe se ndjejnë përparim në sundimin e ligjit”, ka shtuar Magazinoviq.

Ai ka potencuar se qëndrimi pro anëtarësimit të Kosovës në KiE “nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare individuale lidhur me statusin e Kosovës”.

Kosovës i duhen 2/3 të vota për të kaluar në procedurën e anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Bosnjë-Hercegovina s’e ka njohur Republikën e Kosovës.