Pas Sarajevës e Beogradit, shefi i CIA-s ka qëndruar sot në Prishtinë ku është pritur nga presidentja Vjosa Osmani. Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë, ku policia i ka detyruar gazetarët të mbanin distancë të madhe me pjesën ku lëvizte eskorta e tij. Deri tash askush nga palët nuk është deklaruar për takimin.
Udhëheqësi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, CIA, William Burns, ka qëndruar në Prishtinë, ku larg mediave është pritur nga presidentja Osmani.
Në takim ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë, ku policia i ka detyruar gazetarët të mbanin distancë të madhe me pjesën ku lëvizte Burns, që është edhe pjesëtar i kabinetit të presidentit Joe Biden.
Policia i urdhëroi gazetarët të largoheshin edhe më shumë teksa Burns po largohej nga Presidenca.
E forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë parë edhe pranë ndërtesës së AKI-së në Fushë-Kosovë.
Vizita e tij në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i Inteligjencës Amerikane qëndroi edhe në vendet e tjera të rajonit.
Ai paraprakisht ka qëndruar në Sarajevë më 20 gusht, ku ka takuar kreun e politikës së jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmendin Konakoviq. E të mërkurën qëndroi në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me shefin e agjencisë së inteligjencës BIA të Serbisë, Vladimir Orliq.
Deri tash askush nga palët nuk është deklaruar për media rreth vizitës së tij.
Por, siç i ka thënë Radios Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera, ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, dhe qeverisë së këtij entiteti.
Kjo nuk është hera e parë e Burnsit në Kosovë, meqë ka mbajtur vazhdimisht pozita në diplomacinë amerikane.
Paraprakisht ai ka pasur takime më 2012-n me krerët shtetërorë në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër dhe kur Atifete Jahjaga ishte presidente. Në atë kohë Burns mbante pozitën e zëvendëssekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Vizita e Burnsit në rajon bëhet në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa institucioneve të Kosovës u është kërkuar që të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër duke u bazuar në shqetësime të sigurisë.
Shefi i CIA-s në Presidencën e Kosovës
REL - Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është parë duke hyrë në ndërtesën e Presidencës së Kosovës më 22 gusht.
Vizita e tij në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane qëndroi edhe në vendet e tjera të rajonit.
Paraprakisht, Ambasada amerikane në Prishtinë nuk konfirmoi vizitën e Burnsit në Kosovë. Radio Evropa e Lirë nuk mori konfirmim as nga Presidenca e Kosovës, e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Bosnje dhe Serbi, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari".
Ekipi i Radios Evropa e Lirë mesditën e së enjtes e fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” në Aeroportin e Prishtinës.

Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.
Gazetarët e REL-it po ashtu kanë parë një autokolonë duke u larguar nga zona “VIP” e aeroportit “Adem Jashari” drejt Prishtinës.
Kjo autokolonë është përcjellë nga makina të Policisë së Kosovës.

Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.
Siç tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.
Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.
Vizita e Burnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
SHBA-ja dhe shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.
Vizita e shefit të CIA-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për ish-komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, mund të jetë për shkak se “Rusia po bën një luftë hibride në Ballkanin Perëndimor”.
“Rreziku më i madh i konfliktit është në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes Republikës Sërpska, dhe në veri të Kosovës. Vizita e zyrtarëve të lartë në këtë rajon tregon se ata kanë informacione të mjaftueshme për përpjekjet ruse - përmes satelitit të saj, Serbisë - se kjo pjesë e Evropës është në rrezik të një konflikti të mundshëm... dhe është e sigurt që kanë ardhur këtu për t’i dhënë rekomandimet e tyre”, tha Kastrati më 21 gusht.
Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.