Thirrje për koordinim me ndërkombëtarët për hapjen e Urës së Ibrit ka bërë ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea. Ai ka thënë se e kupton dëshirën e kryeministrit Kurti për të shtrirë sovranitetin në veri, por theksoi se duhet që të shihet nëse është koha e duhur për të marrë një iniciativë të tillë.
Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’i dëgjojë këshillat e ndërkombëtarëve sa i përket vendimit për hapjen e Urës së Ibrit.
Thotë se këto këshilla lidhen me informata të NATO-s rreth brishtësisë së sigurisë në veriun e Kosovës.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Jamie Shea, ka thënë se e kupton dëshirën e kryeministrit Kurti për të shtrirë sovranitetin në veri, por theksoi se duhet që të shihet nëse është koha e duhur për të marrë një iniciativë të tillë.
“Mendoj se nëse këshilla e shumë vendeve anëtare të NATO-s që kanë bërë vlerësime të kujdesshme të inteligjencës e që kanë mbledhur të dhëna që thonë se ‘kjo nuk është kohë e mirë për të hapur urën, le të presim dhe le të bëjmë më shumë fushata të komunikimit e sidomos për serbët etnikë për ta sqaruar situatën dhe për të siguruar që do të kemi një situatë të qetë’, atëherë mendoj se kjo është një këshillë shumë e mirë dhe kryeministri Kurti sidomos pas atyre episodeve të dhunës që kemi parë shpresoj se ai do ta pranojë një këshillë të tillë”, tha Shea.
Ish-zëdhënësi Shea është shprehur i bindur se pas një kohe Ura e Ibrit do të hapet dhe se qyteti i Mitrovicës do të jetë i bashkuar.
Për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar tha se duhet bërë presion tek Beogradi për të adresuar këtë çështje.
“Është absolutisht thelbësore që Beogradi të sjellë para drejtësisë ata që u përfshinë direkt në incidentin e Banjskës. Ata ikën në Serbi, siç e dimë, dhe ne e dimë ata që organizuan e financuan atë sulm janë strukturat paralele që ende ekzistojnë atje. Së fundmi ne kemi parë një përafrim mes presidentit Vuçiq dhe Bashkimit Evropian pas marrëveshjes për eksportin e litiumit serb veçanërisht në Serbi dhe mendoj se klima është më e mirë tash në marrëdhëniet mes Gjermanisë , Brukselit dhe Beogradit. Por është shumë e rëndësishme që të insistohet për një hetim të tillë për Banjskën”, tha Shea.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për inkursionin e Ukrainës në Rusi dhe se si mund të ndikojë ky sulm i befasishëm i Ukrainës për të fituar luftën ndaj Rusisë.
Intervistën e plotë të ish-zëdhënësit të NATO-s, Jamie Shea, mund ta ndiqni sonte në “Interaktiv” nga ora 22:50.