Arbëri

SHBA-ja mesazh Vuçiqit: Me Rusinë s’ka “biznes të zakonshëm”

Një ditë pas Kosovës, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për menaxhim e burime, Richard Verma, qëndroi në Serbi. Në takimin e mbajtur me presidentin e këtij shteti, Aleksandër Vuçiq, ai e ngriti çështjen e sanksioneve amerikane ndaj NIS Petrollit shkaku i pronësisë ruse, tek tha se masa nuk është e drejtuar ndaj Serbisë, por Rusisë. E, Departamenti Amerikan i Shtetit i dha mesazh Vuçiqit se me Rusinë s’ka “biznes të zakonshëm”

Sanksionet që Departamenti Amerikan i Thesarit i ka vendosur ndaj 300 subjekteve ruse në botë, përfshirë NIS Petrolin në Serbi, ka qenë tema qendrore në takimin që Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, ka pasur të shtunën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Presidenti serb tek konfirmoi se do një zgjidhje të qëndrueshme tha se në bisedën me Verman ka kërkuar që afatet për sanksionet e NIS-it, të jenë pak më të gjata.

Vuçiq shtoi se brenda 10 ditëve  të ardhshme duhet të bisedojë me amerikanët për të specifikuar se çfarë përfshin pakoja e sanksioneve ndaj NIS-it, në mënyrë që më pas të bisedojë me rusët dhe të gjejë zgjidhje. Tek foli për sanksionet që Departamenti Amerikan i Thesarit ka vendosur ndaj subjekteve ruse në botë, Vuçiq theksoi se Rusia do të goditet shumë më rëndë nga disa sanksione të tjera përveç NIS-it.

“Ne kemi bërë pyetje konkrete, pesë pyetje konkrete dhe në periudhën e ardhshme presim një vendim me shkrim. Fillimisht duhet të bisedojmë me amerikanët edhe për të paktën shtatë deri në dhjetë ditë të tjera për të parë se çfarë saktësisht është përmbajtja e gjithë pakos së sanksioneve, në mënyrë që ne t’u drejtohemi rusëve dhe të flasim më pas, me ta se çfarë të bëjmë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se Verma ka përmendur fjalën “heq” kur është fjala për pronësinë ruse në NIS, ndërsa në një fjali përmendet “zvogëlimi”.

“Kjo na krijon paqartësi, krijon paqartësi edhe për rusët. Sot kemi marrë disa përgjigje dhe besoj se në periudhën e ardhshme mund të dëgjojmë se çfarë është e saktë, sa është e saktë. Ne nuk jemi zhvatës dhe po e përsëris para amerikanëve. Ne nuk do të zhvatim pronën e dikujt, në këtë rast pronën ruse. Nëse duhet të paguajmë çmimin, do ta paguajmë çmimin, por nuk mendojmë të zhvatim diçka”, ka thënë ai.

E Verma ka thënë se sanksionet janë të drejtuara kundër Rusisë e jo kundër Serbisë.

“NIS është një nga dy mijë kompanitë. Qëllimi është që t’u hiqet pronësia ruse në strukturën e pronësisë dhe ne biseduam me presidentin se si ta bëjmë këtë ndryshim në strukturën e pronësisë. Nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse është hequr në kompani. Duke ndryshuar strukturën e pronësisë, kjo do të ndihmojë rajonin që të ketë më shumë paqe dhe si partner do të ndihmojmë Serbinë të fusë diversitetin në burimet e saj energjetike dhe të jetë e pavarur në këtë drejtim”, tha ai në konferencën për shtyp.

Verma shtoi se e kupton që NIS është kompania më fitimprurëse në Serbi, por se ky fitim shkon për Rusinë dhe se ajo financon agresionin brutal kundër Ukrainës dhe kështu prish stabilitetin në Evropë dhe Ballkan, dhe se nuk investon në të ardhmen e Serbisë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar edhe një herë pas deklaratave të Presidentit të Serbisë, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”. Sipas DASH-it, me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”. Thesari amerikan shprehu qëndrimin se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

Kompania NIS u sanksionua si “rrezik sekondar”, për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

DASH-i, në një përgjigje për REL-in, bëri të ditur se SHBA-të “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

“Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.

NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Serbia zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

NIS-i zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit si Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.