Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka njoftuar për bllokimin e të gjitha pasurive apo aksioneve nën juridiksionin amerikan të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit, drejtuesit të saj, Esmail Khatib, dhe disa grupeve të përfshira në sulme kibernetike ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera aleate
Departamenti Amerikan i Thesarit ka reaguar të premten në lidhje me sulmin kibernetik të ndërmarrë nga Irani ndaj Shqipërisë, pikërisht ndaj portaleve qeveritare, duke vendosur sanksione për Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe Esmail Khatib, ministrin për aktivitetet kibernetike. Sipas Departamentit të Thesarit, nuk do të lejohet asnjë agresion ndaj SHBA-së apo aleatëve të saj.
“Si rezultat i sanksionit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në prona të sanksionuarve që janë subjekt i SHBA-së, bllokohen dhe të gjithë shtetasve të SHBA-së u ndalohet të përfshihen në transaksione me ta. Për më shumë, të gjitha entitetet që zotërohen me 50 për qind apo më shumë prej këtyre personave janë po ashtu të bllokuara”, thuhet në njoftimin e ndarë për mediat nga Departamenti i Thesarit.
Sipas njoftimit, sanksionet erdhën pas përfshirjes së Ministrisë së Inteligjencës iraniane dhe grupeve të lidhura me të në sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
“Aktorë kërcënues kibernetikë, për të cilët është përcaktuar se janë të financuar nga Qeveria e Iranit dhe Ministria e Inteligjencës, sulmuan në korrik 2022 sistemet kompjuterike të Qeverisë shqiptare, duke detyruar këtë t’i ndërpresë shërbimet publike online për qytetarët”, thuhet në njoftimin ku citohet edhe deklarata e nënsekretarit të Departamentit të Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.
“Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë injoroi normat e sjelljes shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, të cilat përfshijnë edhe frenimin e sulmeve apo dëmtimit të infrastrukturës kritike që ofron shërbime ndaj publikut”, ka thënë Nelson. Kjo sjellje e Iranit, ka shtuar ai, nuk do të tolerohet.
Në njoftim po ashtu përmenden edhe grupe që ndër të tjera kanë sulmuar entitete qeverisëse në Turqi dhe që janë angazhuar në sulme të ngjashme, që, sipas SHBA-së, janë po ashtu të lidhura me Qeverinë iraniane. Në 7 shtator, Qeveria e Shqipërisë ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke e fajësuar atë për sulmin kibernetik. Pas kësaj mase, NATO-ja dhe vendet aleate e dënuan sulmin dhe i ofruan Shqipërisë mbështetje për ta përmirësuar sigurinë kibernetike.
“MOIS”, nën udhëheqjen e Esmail Khatib, drejton disa rrjete të aktorëve të kërcënimeve kibernetike të përfshirë në spiunazh kibernetik dhe sulme “ransomware” në mbështetje të qëllimeve politike të Iranit. Përveç kryerjes së aktivitetit kibernetik keqdashës që prekte faqet e internetit të Qeverisë shqiptare, aktorët kibernetikë të “MOIS” ishin gjithashtu përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që supozohej se ishin nga Qeveria shqiptare dhe informacioneve personale të lidhura me banorët shqiptarë.
Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara identifikuan një grup aktorësh të avancuar të kërcënimit të vazhdueshëm (APT), të njohur si “MuddyWater”, si një element vartës brenda “MOIS” që ka kryer fushata të gjera kibernetike në mbështetje të objektivave të organizatës që rreth vitit 2018. Aktorët e “MuddyWater” janë të njohur për t’i shfrytëzuar dobësitë e raportuara publikisht për të fituar akses në të dhënat e ndjeshme në sistemet e viktimave, për të vendosur “ransomware” dhe për t’i ndërprerë operacionet e organizatave private.
Qeveria e Shqipërisë, të mërkurën, ka marrë vendim për t’i ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi beson se Teherani zyrtar qëndron pas sulmit kibernetik që ka ndodhur disa muaj më parë në institucionet shtetërore. Stafit diplomatik të Ambasadës së Iranit në Shqipëri i është dhënë 24 orë kohë që të largohet nga Shqipëria.
“Sulmi nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media, të mërkurën.
Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajëson Iranin për organizim të një sulmi kibernetik dhe që merr masa të tilla. Rama në arsyetimin e vendimit ka thënë se objektivi i këtij sulmi ishte shkatërrimi i infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, paralizimi i shërbimeve publike, si edhe grabitja e të dhënave dhe komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.