Zbatim të marrëveshjeve dhe normalizim të raporteve Kosovë–Serbi deri në njohje të ndërsjellë kanë kërkuar ambasadorët e dy shteteve në Kosovë. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Uashingtoni pret që të dyja vendet ta marrin seriozisht dialogun. E, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se Bashkimi Evropian është i paprekshëm për vendet po qe se palët nuk i zbatojnë marrëveshjet e dala nga dialogu
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u ka kërkuar të mërkurën Kosovës dhe Serbisë angazhim më të madh për normalizimin e marrëdhënieve me qëllimin përfundimtar, njohjen reciproke.
Tek ka folur në edicionin e tretë të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci, Hovenier ka thënë se SHBA-ja pret që të dyja palët t’i zbatojnë obligimet e dala prej marrëveshjeve teksa ka shtuar se nuk ka rrugë tjetër, pos dialogut.
“Mesazhi ynë është i qartë se duhet angazhim për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë. Ky mbetet synimi i qartë i SHBA-së. Presim të dy qeveritë të veprojnë në përputhje me të gjitha obligimet e marra në dialog. Presim ta marrin dialogun seriozisht”, ka thënë Hovenier. “Po të mos e kishim dialogun që e kemi aktualisht, çfarë do të shpiknim? Do ta kishim Kosovën, Serbinë dhe do ta kishim lehtësuesin BE-në, pasi e ardhmja e Kosovës do të jetë në Evropë, e do të kishim përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve të tjerë. Pra, do ta nisnim nga fillimi të njëjtën gjë. Duhet përkushtim i ri në dialog nga të gjithë, ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë. Ajo që na duhet është serioziteti dhe qëllimi në dialog. Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët. Negociuesit më të suksesshëm gjithmonë mendojnë për situatë ‘fitim-fitim’. Mendojnë si të marrin diçka, por edhe kolegu i tyre të marrë diçka që të jetë i kënaqur. Është proces. SHBA-ja dëshiron ta shohë këtë, por pa kompromentuar themelet e Kosovës. S’do të ishte asnjë fitore, çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial apo demokracinë e Kosovës. Por, nuk është edhe fitore kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat”.
E lidhur me synimet e Kosovës që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian (BE) dhe e NATO-s, por edhe për raportet e acaruara me këto organizata, ai e ka cituar gjyshin e tij.
“Nuk e shoh se si mund të bëhesh anëtare e BE-së pa pajtim nga BE-ja, që nënkupton pajtim edhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Apo si bëhesh anëtare e NATO-s pa pëlqimin apo pajtimin nga të gjithë anëtarët e NATO-s. Gjyshi im ka thënë, dhe ju lutem më falni për karakterin e shëmtuar paksa, se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te dera e klubit”, ka theksuar ai.
Angazhim në dialogun e Brukselit si dhe zbatim të marrëveshjeve të dala prej tij, veçmas të asaj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka kërkuar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Pa zbatimin e marrëveshjeve, Rohde ka thënë se anëtarësimi në BE është i pamundur për të dyja shtetet.
“Nuk ka alternativë për dialogun kur keni akterë që ju duhet të angazhoni, dhe quhen, Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit. Ne duhet ta angazhojmë urgjentisht këtë ekip të ri në Bruksel. Për të marrë kapitullin e zgjerimit, dhe e them vazhdimisht, Kosova duhet të jetë aktive në këtë çështje të Asociacionit, sepse është një rrugë e qartë për të integruar edhe pakicën serbe të Kosovës dhe gjithashtu për të kallëzuar se Kosova me këtë tregon se për ta, kjo marrëveshje është gjallë. Ndryshe, BE-ja mbetet e pakapshme si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë”, ka theksuar Rohde.
Qeveria e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e zbatimit të tij, arritur në Ohër, porse ka insistuar në vazhdimësi që ato të firmosen për t’u zbatuar.
E shefi i ri i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar gjatë samitit për Paqe dhe Demokraci se për Kosovën e shtetet që e synojnë anëtarësimin në BE, së pari duhen kryer “detyrat e shtëpisë”.
“Momenti i së vërtetës vjen më 1 janar 2027, kur shohim nëse ka para në buxhetin e BE-së apo jo, sepse shumë shpejt do të fillojnë negociatat për buxhetin e ri të BE-së. Tani detyrat e shtëpisë, kjo është ajo që keni dëgjuar shumë gjithashtu. Detyrat e shtëpisë duhet të bëhen. Ky është mesazhi ynë për qeveritë, sepse është punë e vështirë të bëhen të gjitha ato reforma, sepse ato reforma nuk janë aspak popullore. Dhe qeveritë duhet të shpjegojnë se, jo, kjo nuk është për Bashkimin Evropian, por ne vetë besojmë se kjo është e mirë”, ka theksuar Orav.
Në rastin e Kosovës e Serbisë, ai ka thënë se çelës për anëtarësimin në BE është edhe dialogu.
“Më duhet të theksoj, natyrisht, procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes dialogut sepse është absolutisht një çelës. Dhe unë i di edhe pritshmëritë për komisionin e ri, përbërjen e re, por thjesht do të doja të kisha një citat tjetër nga mandati që më dhanë nga 27 shtete anëtare, dhe ai thotë ‘Duhet të promovoj një Kosovë të qëndrueshme, të zbatueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike, e cila angazhohet në bashkëpunim rajonal’ dhe do ta bëj”, ka theksuar ai.