Arbëri

SHBA-ja e BE-ja bëjnë thirrje për llogaridhënie për ngjarjet në Banjskë dhe për shtensionim

Zgjidhja politike sipas diplomatëve të SHBA-së e BE-së që kanë marrë pjesë në diskutim në Konferencën për Siguri në Beograd, është mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Por, sipas tyre, paraprakisht duhet të sqarohen rrethanat lidhur me ngjarjet në Banjskë ashtu që përgjegjësit të vihen para drejtësisë, derisa hapi tjetër duhet të jetë shtensionimi në veri

Çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë nuk është e thjeshtë dhe për ta arritur këtë, palët duhet ta dëgjojnë e kuptojnë më shumë njëra-tjetrën, është thënë në panelin “Ballkani Perëndimor në rendin global”, i mbajtur në kuadër të Konferencës për Siguri në Beograd, të enjten.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha se në këtë kohë duhet llogaridhënie për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë, e më pas shtensionim të situatës në veri

“Por për momentin kemi çështje që duhen të zgjidhen. E para, duhet të shohim, të kuptojmë se çka ka ndodhur më 24 shtator dhe t’i mbajmë përgjegjës kryerësit, meqë duke e bërë këtë mund të ndihmojmë në parandalimin e përsëritjes së ndodhive të tilla, ky është element kyç. E dyta, duhet të sigurohemi që ka shtensionim, edhe pse tingëllon si klishe, por është thelbësore, sepse përshkallëzimi sjell ngritje emocionesh dhe keqllogaritje dhe është e rrezikshme, pra duhet të ketë shtensionim. Dhe në fund, dhe kjo është kritike, që pavarësisht se kush është përgjegjës për këtë, këdo që doni ta fajësoni, apo me kë doni të bisedoni, në fund duhet të kemi zgjidhje politike, thjesht nuk ka mënyrë tjetër”, tha Hill.

E Jozsef Pandur, këshilltar politik i përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, ka theksuar se Brukseli ka vënë në dispozicion të palëve një marrëveshje të mirë, që njihet si Marrëveshja e Ohrit.

“Ajo çka na duhet tani është implementimi i saj. Siç e tha ambasadori Hill, çka na duhet nga palët tani është se Prishtina duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me këtë presim edhe nga Serbia që të zbatojë atë që është dakorduar në Ohër, paralelisht me zbatimin e AKS-në. Dhe po kjo është një enigmë e rëndësishme dhe për fat të keq jemi kthyer në menaxhim të krizave në vend se ta zbatojmë marrëveshjen, veçanërisht pas 24 shtatorit. Mbështes në tërësi atë që tha ambasadori Hill se presim të dimë se çka ka ndodhur me saktësi, dhe siç e kanë thënë edhe Borrelli e Lajçaku, që përgjegjësit për Banjskën të vihen para drejtësisë”, tha Pandur.

Edhe Pandur kërkoi që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të nxirren para drejtësisë.

Ndërkaq Manuel Sarrazin, emisar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ka pohuar se BE-ja nuk bën të dështojë me rajonin assesi.

“Nëse një kryetar komune, në Komunën e Leposaviqit nuk mund të dalë nga zyra e tij, e stopon BE-në që të jetë e suksesshme, si mund të sjellë rezultate në arenën botërore. Mendoj se Ballkani Perëndimor është i vogël, mjaft i ndërlikuar siç e tha ambasadori Hill, por është e nevojshme që ne të dalim me rezultate nëse duam ta ruajmë rolin tonë në aspektin global dhe si partner i fortë në Aleancën Transatlantike”, tha Sarrazin.

Tema qendrore e edicionit të dytë të Konferencës së Sigurisë në Beograd është “Rindërtimi i rendit global”, me panele diskutimi të dedikuara për luftën në Ukrainë, sigurinë në rajon, zgjerimin e BE-së në 20-vjetorin e Samitit në Selanik, konceptin e shtetit të kapur dhe transicionin e gjelbër.