Arbëri

Shatri: 18.000 njerëz Qeveria i konsideron të punësuar pse punojnë në shtëpitë e tyre

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e ka akuzuar Qeverinë aktuale për mashtrim, duke thënë se i konsideron 18 mijë njerëz të punësuar vetëm sepse punojnë në shtëpitë e tyre.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Shatri ka quajtur këtë si formë të çuditshme të manipulimit. 

“Jam i habitur se si mundet kryeministri të dalë me disa shifra që i servohen dhe të thotë ‘i kemi punësuar 80 mijë njerëz në këtë periudhë’. E ka Agjencinë e Statistikave në varësi të vet, le t’i marrë të dhënat prej ASK-së dhe e sheh që nuk është ashtu. Është një formë e çuditshme e manipulimit. E llogaritë punësim, është një kategori që quhet punësim i paqëndrueshëm. Kjo nënkupton që një individ që kryen punë në familje të tij, por nuk merr pagë. Edhe atë e kanë konsideruar të punësuar. Numri i tyre është 18 mijë”, ka thënë ai. 

Ai ka shtuar se ky ekzekutiv gjithashtu e konsideron punësim edhe honorarin e një pune tjetër të një personi që është në marrëdhënie pune. 

“E konsideron punësim pagën dytësore që një person punon në fakultet dhe e ka një honorar tjetër diku, atë e konsideron si dy të punësuar, ata janë 21 mijë njerëz. Vetëm këto dy kategori bëjnë rreth 40 mijë të punësuar e që nuk janë askund”, është shprehur Shatri. 
 


Shatri e Bajra thonë se dëmi nga masat e BE-së sillet nga 300 deri në 600 mln €

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se efekti i masave të BE-së ndaj Kosovës, deri më tash është 300 milionë euro. E sipas tij, masave nuk po iu shihet fundi.

"Dëmi deri tash është 300 milionë euro, por duke i parë deklaratat e djeshme të BE-së e SHBA-së, vështirë se do të hiqen këto masa ndëshkuese", ka thënë Shatri.

E profesori Ujkan Bajra, vlerëson se dëmi është edhe më i madh.

"Llogaritet se dëmi nga masat deri më tash shkon në 600 milionë euro", ka thënë Ujkani. 

BE-ja i vuri masa Kosovës qershorin e vitit të shkuar, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.


Shatri: Kompanitë serbe po i rieksportojnë mallrat e tyre përmes Maqedonisë së Veriut

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se mallrat ende vazhdojnë të futen ilegalisht në Kosovë nga Serbia.

Ai ka thënë se jo vetëm serbët, por në futjen e mallrave ilegalisht kanë gisht edhe bizneset shqiptare.

“Prej që është marrë vendimi për mallrat serbe ka indikacione se kompanitë serbe e hapin një përfaqësi në Maqedoni dhe ja vënë etiketën që është produkt i Maqedonisë dhe i njëjti mall vjen me etiketë të Maqedonisë. Ne e shohim flamurin e Maqedonisë në raftet tona”, ka thënë Shatri.


Shatri: Duhet ndaluar vetëm futja në të zezë e dinarit

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, derisa është deklaruar rreth çështjes së dinarit dhe “ekonomisë së zezë” në veri të vendit, ka thënë se duhet ndaluar vetëm futja në të zezë e këtyre mjeteve brenda territorit të Kosovës. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Shatri ka thënë se ajo që duhet të luftohet është vetëm pjesa që futet si e padeklaruar nëpër rrugë ilegale me qëllime të dyshimta. 

“Ajo që duhet të luftohet është pjesa që vjen e padeklaruar nëpër rrugë ilegale dhe që destinohet për qëllime të dyshimta ose keqbërëse, fjala është për financim të grupeve kriminale, për armatime, për qarkullim të mallrave të paligjshme etj. Kurse pjesa e pensioneve, pagave që marrin shumica e nëpunësve që punojnë në institucionet tona, marrin edhe një pagë nga shteti i Serbisë”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka arritur ta luajë mirë rolin e viktimës para faktorit ndërkombëtar lidhur me këtë çështje. 

“Te faktori ndërkombëtar pjesa e humanizmit ka ndikuar, është rritur ndjeshmëria sepse (presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq) ka ditur ta luajë rolin e viktimës, e ka shitur para faktorit ndërkombëtar”, është shprehur ai. 


 


Bajra e quan farsë vendimin e BQK-së: Një rregullore e tillë ka ekzistuar

Profesori i ekonomisë, Ujkan Bajra, e ka quajtur farsë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me Rregulloren e re për operacionet me para të gatshme.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Bajra ka thënë se një rregullore e tillë veçse ka ekzistuar.

“Banka nuk e ka marrë një fushatë sensibilizuese, një fushatë njoftuese që do të jepte një afat kohor, do të njoftonte shtresat apo subjektet e prekura nga kjo rregullore mbi qëllimet që kishte Banka Qendrore. Tani unë e kuptoj që edhe më herët ka qenë një rregullore e tillë, ka pasur një kornizë ligjore që euron e ka vendosur si mjet pagese në Kosovë, mirëpo kam përshtypjen që qëllimi ka qenë edhe te Banka Qendrore që të shesin te popullata një Rregullore me të cilën kinse po e stopojmë dinarin, realisht ajo rregullore apo kornizë ligjore veçse ishte, sepse euroja ka qenë në përdorim e jo dinari. Tani ne nuk do të mundemi asnjëherë ta ndërpremë furnizimin në forma të ndryshme të dinarit në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se dinari si mjet përdorimi në Kosovë as sot nuk është i ndaluar.