Avokati Skënder Musa ka thënë se dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e konsiderojnë Vetëvendosjen më faktor të pamposhtur e madje e shohin edhe në vend të tretë, në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Nuk konsideroj se PDK-ja dhe LDK-ja e konsiderojnë më si faktor të pamposhtur Albin Kurtin. Për shkak se nëse e marrim e shohim Gjilanin, si ka qenë me LDK-në aty nuk ka asnjë dilemë që LDK-ja triumfon fuqishëm. Nëse e marrim e shohim Prizrenin, pastaj Pejën. Këto dy parti kanë marrë terrenin nëpër komuna dhe humbja e VV-së në zgjedhjet e para lokale, me gjasë do të përsëritet edhe nesër”, ka thënë ai.
Sipas tij, “PDK-ja e LDK-ja nuk e llogarisin Kurtin as të parin e as të dytin, por ndoshta të tretin”.
Drenori: Qytetarët e kanë notën 10-she për pjesëmarrje në fushatë

Xhavit Drenori, analist politik, ka lavdëruar qytetarët e Kosovës për fushatën elektorale të mbajtur nga 11 janari, në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Shembull për të mirë ai e ka marrë organizimin e tri tubimeve të mëdha të partive kryesore në vend, në dy ditët e fundit, në sheshin e Prishtinës.
“Rasti më unik dhe më interesant është se mbahen mitingjet kryesore në qendër të qytetit. Mbrëmë ishte VV-ja e sot dy parti politike me një kohë relativisht të shkurtër dallim njëra prej tjetrës. Keni parasysh se të gjitha subjektet politike kur kanë organizime të mëdha janë të detyruara ta lajmërojnë policinë dhe ajo i shikon me ekspertët e vet me siguri edhe rrezikshmërinë potenciale. Pra kur Policia e Kosovës jep një okej se mund të organizohen të dyja tubimet me kaq shumë njerëz brenda një sheshi, brenda një kohe të shkurtër, kjo tregon se këta qytetarë e kanë notën 10-she sa i përket pjesëmarrjes në kampanjë”, ka thënë ai.
Shala: Zgjedhjet s’do të prodhojnë asgjë cilësore, as qeverisje e as opozitë më të mirë

Azdren Shala nga Partia Socialdemokrate ka thënë se zgjedhjet e 9 shkurtit s’do të prodhojnë “asgjë cilësore për Kosovën”.
Në debatin e fundit në Kohavision në kuadër të ditëve të fushatës elektorale, Shala ka thënë se në zgjedhje qytetarët do të përballen me mungesë alternativash.
“Nëse ndjekim diskursin e partive ato bërtitma apo fyerje ndërsjella tregojnë për boshllëk ideologjik e në mungesë të saj janë zëvendësuar me fyerje. Në fund, qytetari ka me u përballë me mungesë alternative. Për ne s’kanë me prodhu kurrgjë cilësore, as qeverisje më të mirë e as opozitë më të mirë”, ka thënë ai.
Siç ka thënë ai, për Kosovën të dyja krahët në zgjedhje janë keq.
“Nëse i japim fuqi partisë së parë që është më e rrezikshmja, por edhe këtyre të opozitarëve që janë të dobëta kjo e futë Kosovën në një qorrsokak edhe më të madh se sa ky që po e lëmë katër vite mbrapa”, ka thënë ai.