Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ferat Shala ka thënë se ka eksploduar një kazan në termocentralin Kosova A.
“Eksplodim i kazanit ‘bojleri i Albinit’, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë!”, ka shkruar Shala në Facebook.
Burime brenda Korporatës Energjetike Kosovës (KEK) kanë thënë se shpërthimi ka ndodhur të premten.
“Është e vërtetë, në kotën 38, 40, dhe 46 metra ka shpërthyer kazani, lëndime nuk ka, ndërsa dëme materiale ka”, ka thënë ky burim.
KOHA për këtë ka pyetur edhe në KEK, departamenti për media i të cilit ka lëshuar një njoftim, ku ka thënë se nuk ka vend për shqetësim dhe se Njësia A4 është ndalur pas një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve.
VIDEO:
KEK: Njësia A4 është ndalur pas një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, s’ka vend për shqetësim
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A.
Sipas tyre njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, thuhet në njoftim.
Reagimi i KEK-ut vjen pasi që deputeti i PDK-së, Ferat Shala, publikoi një video duke thënë se ka shpërthyer një kazan në bllokun 4 të termocentralit Kosova A.