Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka suspenduar gjyqtarin Agim Kuçi pasi ai pati vendosur që masën e arrestit shtëpiak ndaj Enver Sekiraqës t’ia zëvendësonte me atë të mbrojtjes në liri. Por, pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit pati vendosur që ta kthente atë në paraburgim. Megjithatë më 18 maj Policia e Kosovës ka konfirmuar se nuk e ka gjetur në shtëpi Sekiraqën, i dënuar me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se Sekiraqa ose mbrojtësit e tij është dashur t’i informojnë organet e drejtësisë për lëvizjet e tij.
Ai ka thënë se është e qartë që gjyqtari Kuçi nuk është koordinuar me trupin gjykues për vendimin ndaj Sekiraqës dhe për këtë ka bërë shkelje.
“Gjyqtari mund të vendos edhe vet sepse ia lejon Kodi i Procedurës Penale, edhe kur ka trup gjykues. Por, sa kam informacione ky e ka shpallur vendimin në emër të trupit gjykues. Sipas informacioneve po del se trupi gjykues nuk ka qenë i informuar dhe ka bërë shkelje. Sigurisht komisioni disiplinor i ka marrë masat disiplinore ndaj gjyqtarit. Nëse e kanë marrë vendimin si trup gjykues, përgjegjësia është e të gjithëve njëjtë.por, këtu po shihet se nuk ka qenë në koordinim kryetari i trupit gjyukues me anëtarët e trupit gjykues prandaj është marrë vendimi i suspendimit”, ka thënë ai në "60 Minuta".
Shala ka theksuar se kushtet për paraburgim ishin plotësuar, por se gjyqtari mund të ketë pasur “lajthitje”. Ka shtuar se disa gjyqtarë bien në ndikim të medias dhe politikës.
“Dyshimet se ai ka kryer vepër penale, kjo është sepse e ka dënuar, kjo është po. Nëse ekziston rreziku nga ikja, këtë kusht e ka plotësuar i akuzuari sepse ai i ka ikur drejtësisë 5-6 vjet. Pesha e veprës sigurisht vepra është shumë e rëndë. Janë plotësuar kushtet prandaj Gjykata është dashtë ta marrë një vendim. Ndoshta ka qenë në lajthim gjyqtari sepse ai ka qenë në arrest shtëpiak dhe asnjëherë nuk e ka thyer atë dhe ndoshta ka qenë në lajthim e ka marrë një vendim të tillë, por kushtet kanë qenë të plotësuara për caktimin e paraburgimit”, ka thënë ai.