Arbëri

Shala deklarohet fajtor, dakordohet për dënim me 3 vjet burgim

Haxhi Shala të hënën në Hagë e ka ndryshuar deklarimin rreth fajësisë. Tani ai e ka pranuar fajësinë sipas marrëveshjes që ka arritur me Prokurorinë dhe është dakorduar për dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

“Unë nuk kam qenë asnjëherë i intervistuar nga Prokuroria dhe hetuesit dhe nuk isha i njoftuar plotësisht se çka bëhet fjalë dhe për këtë arsye jam deklaruar i pafajshëm. Tash jam i fajshëm më atë se çka jam pajtuar”, tha Shala.

Atij iu lexuan pikat e aktakuzës së datës 10 korrik 2024 që janë përfshirë në marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Për të gjitha këto pika, Shala u deklarua fajtor.

Përpara kësaj, Shala tha se është i vetëdijshëm për marrëveshjen dhe është plotësisht dakord si me përfitimet e po ashtu edhe pasojat që dalin nga ajo.

“Unë jam i vetëdijshëm për këtë marrëveshje, e kuptoj shumë mirë sepse është në gjuhën shqipe. Kam komunikuar edhe me avokatin tim dhe plotësisht jam dakord me këtë marrëveshje. I kuptoj edhe pasojat edhe të gjitha”, tha Shala.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Haxhi Shala, në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ishin dakorduar për caktimin e dënimit prej 3 vjet burgim për Shalën.

Kjo gjë u tha nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila shtoi se ZPS-ja dhe Shala ishin dakorduar që përveç kësaj, ZPS-ja të propozojë që të akuzuarit t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ju keni rënë dakord për caktimin e një dënimi prej 3 vitesh burgim dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë- në të thuhet që në shkëmbim të fajit nga ju ZPS-ja do t’i rekomandojë trupit gjykues një burgim prej tre vitesh burg dhe i rekomandon që zotit Shala t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim të DHSK-së”, tha gjykatësja.

Në pajtim me marrëveshjen e pranimit të fajësisë, Mappie Veldt-Foglia tha se ZPS-ja pajtohet që të tërheq pikën 1 të aktakuzës. Këtë gjë e konfirmoi edhe Shala.

Ai u njoftua që në rast që aprovohet kjo marrëveshje për pranimin e fajësisë, atij i hiqet e drejta për apelim të vendimeve. Rrjedhimisht, Shala nuk do të ketë mundësi që ta tërheq pranimin e fajit apo të kërkojë ndryshimin e vendimit të dënimit.

“I kam kuptuar dhe pajtohem me atë që jam marrë vesh me avokatin dhe avokati me Prokurorinë. Në qoftë se vendimi është mbi tri vite unë do ta apeloj dhe në qoftë se është tri vite e poshtë, jo”, u përgjigj Shala.

Shala gjithashtu tha se me vullnetin e tij të lirë është arritur kjo marrëveshje dhe s’ka pasur asnjë kërcënim apo shtytje për pranim të fajësisë. Ai pohoi se i kupton pasojat e kësaj marrëveshjeje dhe heq dorë nga e drejta për t’u gjykuar në një gjykim të rregullt./Betimi për Drejtësi
 

Haxhi Shala dhe Sabit Januzi pranojnë fajësinë për frikësimin e një dëshmitari të Speciales

4 muaj më parë / 18 dhj 2024 18:57 Nga: Ardit Kika
Haxhi Shala - Sabit januzi

Ish-eprori i UÇK-së, Haxhi Shala, dhe ish-pjesëtari i gueriles, Sabit Januzi janë pajtuar të dënohen nga Gjykata Speciale në këmbim të heqjes së njërës prej dy akuzave për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Gjatë seancës së të mërkurës në Hagë, Shala e ka pranuar akuzën për frikësim të një dëshmitari dhe një akuzë për pengim të personit zyrtar, si dhe ka konfirmuar se heq dorë nga ankesa. 
“Po e nderuar, e kam kuptuar dhe pajtohem me atë që jemi marrë vesh me avokatin dhe avokati me prokurorin. Në qoftë se vendimi është për mbi tre vjet unë do ta apeloj, në qoftë se është tre vite e poshtë jo”, ka thënë Shala në gjykatë.

Shala shprehu pajtimin edhe me konstatimet në marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe theksoi se atë e ka lidhur me vullnet të lirë.

“Jam i vetëdijshëm për këtë marrëveshje, e kuptoj shumë mirë, sepse është edhe në gjuhën shqipe. Kam komunikuar edhe me avokatin tim dhe plotësisht jam dakord me këtë marrëveshje. I kuptoj edhe pasojat, edhe të gjitha”, ka thënë ai.

Pas kësaj Shala u deklarua fajtor.

“Nuk jam intervistuar asnjëherë nga prokuroria, as nga hetuesit dhe nuk isha i njoftuar se për çfarë bëhej fjalë dhe për këtë arsye jam deklaruar i pafajshëm. Tash jam i fajshëm, me atë që jam pajtuar”, ka thënë Shala.

Në këtë seancë u bë e ditur se marrëveshja e pajtuar mes Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Sabit Januzit përmban shkallën e dënimit nga dy vjet deri në dy vjet e gjysmë burgim. Januzi e shprehu veten fajtor për atë që e ka bërë në prill të 2023-tës. 

Trupi gjykues konstatoi se edhe marrëveshja e re e bërë mes organit të akuzës dhe Ismet Bahtijarit është e rregullt dhe vendosi që më 19 dhjetor të zhvillohet seancë për të.

Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndërkaq, Januzi u arrestua më 5 tetor 2023 dhe prej atëherë është mbajtur në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në dy marrëveshjet e fajësisë është theksuar se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Januzin dhe Bahtijarin kontaktuan një dëshmitar. Aty theksohet se dëshmitarit iu bënë vizita në shtëpinë e tij dhe iu ofruan benefite në këmbim të tërheqjes së dëshmisë së tij.
Sipas Prokurorisë, vepra në grup u krye nën direktivën e Shalës.
Deri më tani, nuk është bërë publike se për cilin dëshmitar bëhet fjalë, apo në cilin rast ka dëshmuar ai.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Këtë muaj, Gjykata Speciale konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës bënë të ditur se aktakuza u konfirmua kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Edhe Januzi deklarohet fajtor

4 muaj më parë / 18 dhj 2024 18:46
Sabit Januzi

Edhe Sabit Januzi ka ndryshuar deklaratën e tij nga i pafajshëm në fajtor lidhur me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe atë të frikësimit.

Januzi u përgjigj me “Po”, kur u pyet se a është i gatshëm që të ndryshojë deklarimin fillestar si i pafajshëm.

Si rrjedhojë, atij iu lexuan akuzat sërish, ku për secilën prej tyre u deklarua fajtor.

Ndërsa sa i takon zhdëmtimit, avokati i Januzit, Jonathan Elystan Rees, tha se lidhet ngushtë me dëmin e shkaktuar. Ai tha se zhdëmtimet do të ishin të nevojshme nëse vërtetohet se dëshmitari 1 ka pësuar dëm si rezultat ‘ndihmës së ofruar atij për ta tërhequr dëshminë’.

Avokati tha se për këtë nuk ka prova faktike se dëshmitarit 1 i është shkaktuar dëm.

Ndërsa, kur u diskutua për dënimin, avokati tha se kanë marrë vërtetim në Kosovë se Januzi nuk ka të kaluar kriminale në kuptimin e ndonjë vendimi të formës së prerë. Pas kësaj, me kërkesën e avokatit, seanca kaloi në private.

Sipas avokatit, Prokuroria ka thënë se në këtë moment nuk do të paraqes parashtrime sa i përket dëmit pasi po pret zyrën për mbrojtën e viktimave lidhur me procedurat e saj. Sipas avokatit, Prokuroria ka thënë se në këtë moment nuk do të paraqes parashtrime sa i përket dëmit pasi po pret zyrën për mbrojtjen e viktimave lidhur me procedurat e saj.

Ndërsa, për caktimin e dënimit, avokati Elystan Rees tha se duhet të merren parasysh edhe rrethanat familjare dhe personale të Januzit.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Vedlt- Foglia tha se Sabit Januzi dhe ZPS-ja janë dakorduar në marrëveshjen e pranimit të fajësisë, që të kërkohet burgim për të akuzuarin nga dy vjet deri në dy vjet e gjysmë burgim./Betimi për Drejtësi