Arbëri

Serwer: Nevojitet riformatim i dialogut, Lajçaku ka dështuar

Foto: Koha

Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer, ka thënë se është i nevojshëm riformatimi i dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka dështuar pasi palët s’po e zbatojnë Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit dhe si të tilla janë joefektive. Ai ka kritikuar në veçanti Serbinë që s’po pranon të nënshkruajë marrëveshjen dhe po e mohon vazhdimisht të njëjtën.

Analisti amerikan kërkoi nga Bashkimi Evropian largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa theksoi nevojën që sa më shpejt përgjegjësit e sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë. Krahas këtyre, ai deklaroi se raportet Kosovë-SHBA janë në një kohë të vështirë, mirëpo shtoi s’ka ndryshuar asgjë sa i përket qëllimeve për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Njohësi amerikan i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor tha se në kuadër të riformatimit të dialogut duhet të shkohet më shumë drejt përafrimeve në çështje praktike në teren sesa drejt normalizimit politik.

“I takon Kosovës dhe Serbisë ta bëjnë këtë (zbatimin e marrëveshjes). Serbia ka refuzuar qartë me shkrim zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Nuk mund të bëj asgjë për ta detyruar Serbinë ta pranojë atë. Mendoj se është fare e qartë se kemi nevojë për rivendosje në dialog, do të doja të shihja një rivendosje drejt çështjeve më praktike dhe jo drejt normalizimit politik”, tha ai.

Megjithëse deklaroi se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e njeh Ballkanin Perëndimor më shumë se çdo diplomat që ka shërbyer në rajon, sipas tij i njëjti ka dështuar në dialog.

“Miroslav (Lajçajk) e njeh Ballkanin si çdo diplomat që ka shërbyer këtu, më mirë se 99 për qind do të thosha. Por ai nuk ka pasur sukses. Janë këto dy marrëveshje, janë marrëveshje që Serbia i ka mohuar dhe kjo është një dështim”, shton Serwer.

Profesori amerikan e konsideroi të domosdoshëm largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Natyrisht, duhet të hequr sanksionet ndaj Kosovës. Dhe më vjen mirë që i shoh ata të inkorporojnë dispozitat e marrëveshjeve në kapitujt për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe të bëjnë të njëjtën gjë për Kosovën përfundimisht, kjo është një gjë e mirë. Por ende tani për tani marrëveshjet nuk janë më efektive”, deklaron ai.

Duke folur për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë, Serveri tha se përgjegjësi i këtij sulmi, Milan Radoiçiq, duhet të dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë.

“Është e pafalshme. Është e pafalshme, veçanërisht Radojiçiq duhet të dorëzohet në Kosovë për gjykim”, theksoi Serveri.

Sa i përket raporteve Kosovë-SHBA, analisti amerikan tha se rrethanat kanë qenë pak të vështira në këtë kohë, mirëpo siç deklaroi ai s’ka ndryshuar asgjë nga objektivat amerikane për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Kohët padyshim kanë qenë pak të vështira, por ju e dini, s’ka asgjë thelbësisht të ndryshme ndërmjet objektivave amerikane për Kosovën dhe objektivave të Kosovës për Kosovën, të dyja e duan këtë shtet sovran dhe të pavarur, dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme”, përfundoi Serwer.

Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar gjatë kësaj jave në Bruksel, në kuadër të dialogut, mirëpo ai ka zhvilluar takim vetëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nuk është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti para se të takohet me Vuçiqin ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, tërheqjen e letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq ndaj vendeve të BE-së se nuk zbatojnë nene të caktuara të marrëveshjes dhe dorëzimin e Radoiçiqit organeve të drejtësisë në Kosovë. /KSP