Edhe këtë vit, pyetjet e përgjigjet e Testit të Maturës po shpërndahen në disa grupe në Viber.
Disa prej këtyre grupeve numërojnë mbi dy mijë anëtarë.
Edhe pse këtë vit Ministria e Arsimit për ta penguar kopjimin ka thënë se nxënësit e klasës së njëjtë nuk do të jenë as në sallën e njëjtë gjatë testimit, komunikimi online ka vazhduar si herëve të tjera.
Maturantët testohen sot
Mbi 18 mijë maturantë sot, 22 qershor, i nënshtrohen testit të vlefshëm për ta siguruar të drejtë e aplikimit për studime universitare.
Problematikë gjatë këtij procesi çdo vit ka qenë kopjimi. Këtë vit, për ta penguar kopjimin maturantët do të shpërndahen nëpër objekte të shkollave të ndryshme.
Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, pati thënë për KOHËN se nxënësit e klasës së njëjtë nuk do të jenë as në sallën e njëjtë gjatë testimit.
Ai ka shpresuar se me këtë metodë “mundësia e kopjimit do të jetë më e vogël”.
Ministria e Arsimit shpenzon rreth 350 mijë euro çdo vit për organizimin e Maturës Shtetërore, që ndër vite është përcjellë me parregullsi. Pyetjet dhe përgjigjet e testit shpesh janë publikuar në rrjete sociale nga nxënësit që i janë nënshtruar atij.
Në Provimin e Maturës, nxënësit do t’i nënshtrohen vlerësimit mbi njohuritë e tyre për lëndën gjuhës shqipe, matematikës, gjuhë angleze dhe një lëndë zgjedhore.
Nxënësit që nuk arrijnë ta përfundojnë me sukses provimin në qershor, do të kenë edhe një afat më 31 gusht. Pa e kaluar këtë test, ata nuk do të mund të aplikojnë në universitete publike e kolegje private për pranim.