Arbëri

Serbisë i kërkohet t’i mbajë përgjegjës akterët e dhunës në veri, Kosovës koordinim me partnerët

Mungesën e përparimit drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili vazhdon të ketë implikime negative në jetën e përditshme të qytetarëve dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ka konstatuar një raport i OSBE-së, mbi të cilin është diskutuar në Vjenë. Përfaqësuesja e SHBA-së në këtë organizatë tha se normalizimi duhet të përfundojë me njohje reciproke. E përfaqësuesi i Britanisë së Madhe kërkoi prej Serbisë t’i marrë në përgjegjësi të gjithë akterët që shkaktuan dhunë vitin e shkuar, si dhe angazhim në ndaljen e kontrabandës kufitare me armë

Drejtësi dhe përgjegjësi për të gjitha aktet e dhunës në veri të vendit të cilat kulmuan me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, është kërkuar edhe nga përfaqësues të shteteve të fuqishme brenda Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës (OSBE). Në diskutimet e zhvilluara në Vjenë mbi raportin e OSBE-së për situatën në Kosovë, përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, Neil Holland, ka kërkuar prej Serbisë ta adresojë edhe kontrabandën kufitare me armët. 

“Mbretëria e Bashkuar e përsërit rëndësinë e vënies së drejtësisë dhe përgjegjësisë për të gjitha aktet e dhunës. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në angazhimin për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë përfshirë në sulmin tronditës në Banjskë, në shtator të 2023-s dhe ndaj trupave të KFOR-it, në maj 2023, si dhe të ndërmarrë veprime për ta luftuar kontrabandën e armëve përtej kufirit”, ka theksuar Holland. 

Sa i përket dialogut ai kërkoi prej palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive derisa Kosovës ia përmendi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ai ka folur edhe për rëndësinë e koordinimit të veprimeve që prekin komunitetin serb.  

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Mbretëria e Bashkuar vazhdon ta inkurajojë Kosovën që të sigurohet që komunitetet joshumicë të luajnë rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e vendit”, ka thënë përfaqësuesi britanik. “Ne kemi qenë të qartë me të gjithë bashkëbiseduesit që çdo veprim i cili ndikon në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë, kërkon konsultime të kujdesshme me miqtë dhe partnerët e sigurisë së Kosovës, për të shmangur tensionet dhe për të mos dëmtuar më të dobëtit. Të gjitha komunitetet joshumicë duhet të jenë të lira t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe të integrohen më tej në shoqërinë kosovare. Ne vazhdojmë të inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në procesin demokratik, të marrin rol në shërbimin publik dhe të punojnë për komunitetin e tyre”, ka shtuar ai. 

Holland është pajtuar me vlerësimin e raportit të OSBE-së për mungesën shqetësuese të përparimit drejt normalizimit Kosovë-Serbi i cili, thuhet aty, “vazhdon të ketë implikime negative në jetën e përditshme të qytetarëve të zakonshëm dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. 

“Në këtë kontekst ne mirëpresim vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës për mallrat serbe, si një hap pozitiv drejt mundësimit të tregtisë së lirë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe duke u dhënë qytetarëve të rajonit mundësinë për të korrur përfitimet ekonomike nga përafrimi më i afërt me fqinjët e tyre evropianë”, ka thënë Holland. 

Edhe ambasadorja e SHBA-së në OSBE, Katherine Brucker, e konsideron dialogun thelbësor për stabilitetin në rajon. 

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën si një demokraci sovrane, multietnike dhe kërkon prej liderëve të saj që të promovojnë një shoqëri që respekton të drejtat dhe gjithëpërfshirjen për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç është rënë dakord nga të dyja vendet, është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara besojnë se normalizimi duhet të përfundojë me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi të dyja ato kërkojnë të realizojnë aspiratat për anëtarësim në BE”, ka thënë ajo. 

Brucker shprehu keqardhje për faktin se Kosova ende nuk është anëtare e OSBE-së, tek shtoi se mezi presin ditën kur kjo të ndodhë.