Arbëri

Kontrolli i kufirit me Serbinë, sfidë për autoritetet e Kosovës

Sfidë për autoritetet kufitare të Republikës së Kosovës është kontrolli i kufirit me Serbinë për shkak të mosmarrëveshjeve politike, konstatohet në Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2025–2029. Aty thuhet se ngërçi politik mes dy vendeve ka pamundësuar edhe hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, sipas Marrëveshjes së Brukselit, megjithëse punimet janë përfunduar prej vitesh

Sfida dhe kërcënime të reja në aspektin e sigurisë së kufijve janë përcaktuar në Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, për pesë vjetët e ardhshëm. Mbështetur në draftdokumentin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndër sfidat e listuara është kontrolli i kufirit me Serbinë për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

“Sfidë tjetër për autoritetet kufitare të Republikës së Kosovës është kontrolli i kufirit me Serbinë për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe mosnjohjes së kufirit nga ana e Serbisë, duke ofruar kësisoj mundësi për aktivitete të paligjshme kriminale ndërkufitare dhe duke lejuar që rrjetet e krimit të organizuar transkombëtare të funksionojnë dhe të përparojnë”, shkruan në Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2025–2029.

Aty përshkruhen edhe rreziqet e tjera që mund t’i kanosen Kosovës, përfshirë aktet terroriste.

“Disa nga sfidat më të mëdha të MIK-ut dhe kërcënimeve të reja me të cilat përballet Republika e Kosovës në lidhje me menaxhimin dhe sigurinë e kufijve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me rolin e autoriteteve kufitare dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për MIK-un, janë ato që rrjedhin nga krimi  ndërkufitar, krimi transnacional dhe i organizuar, migrimi i parregullt, trafikimi i qenieve njerëzore (TQNj) dhe të gjitha format e kontrabandës, përfshirë narkotikët, armët dhe eksplozivët e terrorizmin. Rrjedhimisht, në mënyrë që autoritetet kufitare dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit të luftojnë në mënyrë efektive këto sfida dhe kërcënime të reja për sigurinë kombëtare, publike dhe kufitare të Republikës së Kosovës, ekziston nevoja për të forcuar në mënyrë të vazhdueshme kapacitetin e përgjithshëm të MIK-ut”, thotë dokumenti.  

Më 23 shtator 2023 një grup paramilitar i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, kreu sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Sipas aktakuzës së prokurorisë, ky grup kishte hyrë në territorin e Kosovës nga pjesa veriore e kufirit me Serbinë.

Kosova e fajësoi Serbinë edhe për sulmin tjetër mbi kanalin e “Ibër-Lepencit”, më 29 nëntor të vitit të kaluar.

Ngërçi politik mes dy vendeve ka pamundësuar edhe hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, sipas Marrëveshjes së Brukselit, edhe pse punimet janë përfunduar. Edhe pse në vitin 2015 u nënshkruan kontrata për ndërtimin e gjashtë pikëkalimeve të reja, të financuara nga BE-ja, për shkak të mosveprimit nga ana e Serbisë, funksionale janë vetëm dy prej tyre, në Merdar dhe në Mutivodë.

“Edhe pse në vitin 2015 u nënshkruan kontrata për ndërtimin e gjashtë (6) PPKK-ve të reja, të financuara nga BE-ja, për shkak të mosveprimit nga ana e Serbisë, vetëm dy PPKK të reja moderne (për sa i përket ndërtimit të qëndrueshëm, funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë mjedisore) janë ndërtuar (në Merdar u hap në tetor të vitit 2018 dhe në Mutivodë në korrik të vitit 2019), të dyja janë të mikpritura nga Kosova. Duhen ndërmarrë hapa të ardhshëm në drejtim të zbatimit të PT-MIK, që përfshijnë kryesisht ndërtimin e katër (4) PPKK-ve të reja. Përveç kësaj, dy (2) PPKK-të e reja ( në Kapi/Kapija Vrapce në jug dhe Rajetici/Izvor në veri) janë në pritje të hapjes, këto PPKK janë kërkuar nga Kosova dhe Serbia në mënyrë përkatëse. Dy PPKK-të kanë qenë gati për funksionim të plotë që nga marsi i vitit 2018, por për shkak të ngërçit aktual politik midis Serbisë dhe Kosovës, të dyja mbeten të mbyllura aktualisht”, thotë dokumenti.

Fokusi kryesor i bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës aktualisht është me vendet fqinje. Në Strategji përmendet edhe bashkëpunimi që synohet me Serbinë.

“Ky bashkëpunim për menaxhimin e kufijve bazohet në marrëveshje dhe protokollet dypalëshe të nënshkruara me vendet fqinje dhe veç kësaj janë vendosur pika shumëpalëshe kontakti me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë. Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi për kontrollin kufitar është ruajtja dhe përmirësimi i mëtejshëm i menaxhimit dhe sigurisë së kufirit, rritja e luftës kundër krimit ndërkufitar dhe kontributi në lehtësimin e trafikut ndërkufitar”, shkruan në dokument.

“Bashkëpunimi i rregullt ndodh në nivele strategjike, operacionale dhe taktike dhe është fleksibël në mënyrë që t’u përshtatet nevojave operacionale dhe situatave në kufi. Bazuar në  marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe me vendet fqinje (ndërkufitare brenda autoriteteve ose ndërmjet autoriteteve), duhet të shfrytëzohen mekanizmat e duhur për shkëmbimin e informacionit, analizën e përbashkët të rrezikut, patrullimet, hetimet dhe operacionet e përbashkëta kufitare”.

Që nga viti 2006, Republika e Kosovës ka zbatuar konceptin e Menaxhimit të Integruar të Kufijve (MIK) bazuar në Udhëzimet e BE-së për MIK në Ballkanin Perëndimor, Udhërrëfyesin e Kosovës për Liberalizimin e Vizave, Katalogun Schengen dhe Direktivat e tjera për MIK-un dhe gjatë kësaj kohe ka hartuar dhe zbatuar tri Strategji dhe Plane Veprimi Kombëtare ndërmjet viteve 2009 dhe 2024.

“Zbatimi i MIK-ut është prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe është në mesin e kritereve kryesore në procesin e integrimit në BE. Strategjia Kombëtare për MIK përfshin angazhimet dhe prioritetet e programit të Qeverisë dhe është në harmoni me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit dhe Programin e Reformës Ekonomike. Synimi i Strategjisë Kombëtare për MIK është të krijojë një kuptim të qartë për zbatimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të konceptit të MIK-ut në Republikën e Kosovës”, shkruan në Strategji, së cilës i është bashkëngjitur edhe një plan veprimi.

Objektivat strategjike do të zbërthehen në objektiva specifike dhe aktivitete konkrete. Të dyja, Strategjia dhe Plani i Veprimit, siç shkruan aty, janë “dokumente të gjalla” dhe do të përditësohen në baza të rregullta. Për zbatimin e Strategjisë Shtetërore për MIK dhe Planin e Veprimit, një nga elementet thelbësore do të jetë sigurimi i fondeve të mjaftueshme dhe investimet e qëndrueshme.

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës (PK) do të mbajë përgjegjësinë kryesore për kontrollin dhe mbikëqyrjen kufitare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, agjencitë e tjera relevante për zbatimin e ligjit  dhe autoritetet ndërkombëtare. Aty përshkruhet edhe roli i KFOR-it përgjatë kufirit me Serbinë.

“Ndarja e detyrave ndërmjet autoriteteve për menaxhim të kufirit është e qartë dhe e përcaktuar në legjislacionin e tyre përkatës dhe mundëson bashkëpunim ndërmjet të gjitha autoriteteve. Për më tepër, sipas legjislacionit aktual, bashkëpunimi është i detyrueshëm për të gjitha autoritetet e menaxhimit të kufirit. KFOR-i në bashkëpunim dhe koordinim me PK-në aktualisht vazhdon të mbikëqyrë Vijën e Gjelbër dhe të Kaltër me Serbinë”, shkruan aty.

Kosova ka gjithsej 743 kilometra e 556 metra përgjatë kufirit me fqinjët. Me Republikën e Shqipërisë në jugperëndim ka 113 kilometra e 551 metra vijë kufitare, me Maqedoninë e Veriut në jug 170 kilometra e 772 metra, me Malin e Zi në veriperëndim 79 kilometra e 165 metra dhe me Serbinë në verilindje 380 kilometra e 68 metra vijë kufitare. Deri tash është kryer demarkimi dhe përcaktimi i kufijve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ndërkaq me Serbinë kufiri mbetet ende i pademarkuar.