Rreth një muaj më parë, ushtria serbe hapi konkurs për rekrutimin e vullnetarëve të rinj. Ndonëse si kriter përmendet obligimi që kandidatët të jenë shtetas të Serbisë, analisti e gazetari serb, Branislav Kërstiq, thotë se posedon informata që janë të përfshirë edhe qytetarë serbë nga veriu. E njohës të çështjeve të sigurisë e shohin këtë zhvillim me shqetësim
Në fundnëntor, Ushtria e Serbisë ka hapur thirrje publike për rekrutimin e kandidatëve në shërbim vullnetar ushtarak, me armë.
Si kriter kryesor për rekrutim theksohet obligimi që kandidatët të jenë shtetas të Serbisë.
Por, gazetari e analisti serb, Branislav Kërstiq, thotë se posedon informata që në këtë rekrutim janë përfshirë edhe qytetarët serbë e ata boshnjakë nga veriu i Kosovës, e të cilët janë të pajisur me dokumente të lëshuara nga institucionet ilegale të Serbisë.
“Ne kemi më shumë se 40 për qind ushtarë, të cilët e kanë prejardhjen nga veriu i vendit ose i kemi serbët, disa boshnjakë nga shteti i Kosovës. Ky pushteti i sotëm në Beograd me ato vendimet e fundit është tepër i interesuar me fikë atë trendin e largimit të serbëve nga veriu i vendit”, ka thënë Kërstiq për KOHËN.
Këtë zhvillim e sheh me shqetësim kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Karshi synimit të Serbisë për t’i rritur kapacitetet ushtarake, ai e shpreh nevojën për një plan konkret për ballafaqim me rreziqet.
“Për ne nuk është lajm i mirë që Serbia i rritë kapacitetet, sepse Serbia nuk është një vend që është mbrojtur ndonjëherë, por është një vend që ka sulmuar realisht në rajon. Të gjitha këto lajme janë shqetësuese. Duhet që institucionet e Kosovës, ndërkombëtare dhe të sigurisë, të kenë planin konkret, me ballafaqimin e rreziqeve në të ardhmen”, i ka thënë KOHËS Haradinaj.
E, ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili është deputet i Lidhjes Demokratike, vlerëson se me të gjitha këto veprime, shteti serb synon të ushtrojë presion mbi serbët e Kosovës që të mos përfshihen në FSK.
“Kemi informata që në të kaluarën pjesëtarët e komunitetit serb, që kanë shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kanë qenë nën presionin e madh të institucioneve inteligjente ushtarake të Serbisë që të largohen nga FSK-ja. Një numër i tyre nuk kanë mundur të përballen me këtë presion dhe është e pritur që me mënyra dhe metoda të ndryshme t’i bindin që të kalojnë në këto forca vullnetare”, i ka thënë KOHËS Quni.
Avni Islami, njohës i sigurisë, ka shprehur mendimin se me anë të rritjes së numrit të ushtarëve, Serbia po tenton që të nxisë destabilitet në rajon.
“Kjo është thjesht një lloj mobilizimi, gjendje gatishmërie e Serbisë, është një mesazh i cili përçon jo vetëm Kosovës, por edhe Bosnjë-Hercegovinës, por edhe sekretarit Stoltenberg, i cili kishte një kërkesë për Serbinë, në mënyrë që ushtria e saj të largohet nga kufiri”, ka thënë Islami.
Në vizitën e fundit në Beograd, sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, i kërkoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që ta largojë ushtrinë e vendosur përgjatë kufirit me Kosovën. E në përgjigjen e tij, Vuçiqi tha se është çështje e brendshme e Serbisë se ku i vendos forcat e saj ushtarake.