Arbëri

Serbia pretendon për "presion historik” ndaj serbëve në Kosovë

Kuvendi - Serbi

Zyrtarë të lartë serbë kanë përmendur edhe ngjarjet historike në tentimin për të argumentuar se presioni ndaj serbëve në Kosovë, nuk ka nisur me qeverinë aktuale. Në debatin e zhvilluar së fundi në Kuvendin e Serbisë, u tha se miratimi i Deklaratës të të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb”, është i rëndësishëm edhe për ruajtjen e prezencës së Serbisë në Kosovë

Kosova ka qenë në qendër të debatit parlamentar në Serbi, ku për tri ditë rresht janë mbajtur seanca plenare e në të cilat është tentuar që të miratohet “Deklarata” e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb”. 

Në këtë dokument të deklaratës, mes tjerash, flet edhe për Kosovën “si pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”. 

Tek e ka akuzuar opozitën se nuk i intereson për fatin e serbëve të Kosovës, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, ka thënë se dëbimi i tyre nuk ka nisur tash porse qysh në kohën kur Serbia kishte pushet mbi Kosovën.

“Serbët kanë emigruar vazhdimisht në 40, 50, 60 vjetët e fundit. Ata janë nën presion. Ata gjithashtu emigruan kur policia dhe ushtria serbe ishin atje poshtë, fatkeqësisht ushtria jugosllave. Dhe gjyqësori ynë. Dhe i gjithë sistemi ynë arsimor, për fat të keq. Dhe kjo nuk është një histori alibi, por është një pasqyrë faktike e asaj që na ndodhi”, ka thënë ai. 

Lidhur me akuzat e opozitës për riregjistrimin e veturave në Kosovë, Vuçeviq ka deklaruar se zyrtari aktual i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Borko Stefanoviq, më 2011 ka nënshkruar Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, “me të cilën i pranoi targat RKS”. Por Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas, ka thënë se deklarata për interesat kombëtare të popullit serb është në fakt një letër pas së cilës qëndron korrupsioni, krimi e tradhtia ndaj interesave kombëtare nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai i është referuar edhe rolit të ish-biznesmenëve serbë të lidhur me krimin në Kosova, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, duke i quajtur ata “serbët më të pasur, pas presidentit”.

“Si mbrohen (serbët në Kosovë)? Duke emigruar me mijëra, duke i dhënë Prishtinës gjithçka që kërkoi, me faktin se mbrojtësit më të mëdhenj të popullit serb në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, u bënë serbët më të pasur, natyrisht pas presidentit. Ju në këtë dokument theksoni se është e nevojshme të ‘respektohet përmbushja e detyrimeve të marra ndërkombëtare’. Pra, pse nuk i tregoni popullit se çfarë detyrimesh ndërkombëtare ka marrë Vuçiqi. Çfarë premtoi ai në emër të Serbisë dhe popullit?”, ka deklaruar Gjilas. 

E Bogdan Radovanoviq, nga “Fronti i të Gjelbërve të Majtë”, ka theksuar se Deklarata është vetëm një broshurë boshe politike.

“Është plotësisht e qartë se me këtë dokument po përpiqen të maskojnë shumë nga gabimet e kësaj qeverie dhe përderisa ne po e shqyrtojmë një dokument dhe tekst kiç-nacionalist, edhe Serbia edhe Republika Sërpska kanë të njëjtin problem. Dhe ky problem quhet kërcënim serioz për shëndetin dhe mjedisin”, ka thënë ai.

Në qershorin e sivjetmë, Serbia dhe entiteti serb i Bosnjë-Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike, dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb”, në takimin e mbajtur mes dy qeverive në Beograd. Në Deklaratë përmendet edhe Kosova, ku shkruan se ajo “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” dhe që Kuvendi gjithëserb i mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me të drejtën ndërkombëtare, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe “kushtet e patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, si pasojë e veprimeve të Prishtinës zyrtare”.

Sipas dakordimit, deklarata duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Sërpska brenda 90 ditëve. Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës e ka miratuar Deklaratën në fillim të këtij muaji. 

Historianë që kanë studiuar politikën serbe ndër vite kanë thënë se viktimizimi në diskursin e tyre është një fenomen i njohur prej kohësh. 

“Serbia që kur pushtoi Kosovën në vitin 1912, qarqet nacionaliste duke u thirr në gjoja te drejtën historike “të rikthimit te Kosovës së tyre” me qellim te arsyetimit te dhunës vrasjeve, largimit te pashembullt te popullsisë shumice shqiptare filluan ta ndërtojnë narrativin se gjitha këto veprime po ndodhin për `ta mbrojtur popullsinë serbe’”, ka thënë historiani, Besim Qeriqi. 

Sipas tij, kjo histori ka vazhduar gjatë gjithë jetëgjatësisë së Jugosllavisë. 

“Mori hov gjate viteve 80’, ku karta e nacionalizmit midis serbëve ishte tema kryesore. Ky fenomen në mënyrë të veçantë u vërejt midis serbëve që jetonin jashtë Serbisë. Pa dyshim më të zëshmit dolën të ishin serbët e Kosovës. Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi, viktimizimi shërbeu si mjeti kryesor për ta arsyetuar kundër-dhunën ndaj popujve tjerë, në veçanti ndaj shqiptarëve. Ishte kohë kur ankesat e popullsisë serbe në Kosovë nuk ndaleshin. Ndërkohë që e vërteta ishte krejtësisht e kundërt. Serbët, ndonëse përbënin më pak se 10 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës, dominonin plotësisht në të gjitha pozicionet shtetërore kundrejt popullsisë shumice shqiptare”, ka theksuar ai. 

Sipas Qeriqit, organizimet kudoserbe, sikurse ai i Kuvendit gjithëserb, janë vazhdimësi e përpjekjeve historike të dirigjuara nga qarqet politike, kishtare e intelektuale me qendër në Beograd. 

“Nën sloganin ‘Një popull, një kuvend - Serbia dhe Republika Sërpska’ proklamohet mbrojtja e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb, me theks të veçantë të serbëve të Kosovës dhe Bosnjës. Përkundër se gëzojnë të drejta të pa shembullta në botën perëndimore, zhvillimet e fundit tregojnë qartazi se udhëheqja serbe me veprimet e saj politike dirigjuese vazhdon t`i shërbej përpjekjeve destabilizuese të rajonit, siç ishte rasti i aktit terrorist në shtatorin e vitit të kaluar në ‘Banjska’”, ka thënë Qeriqi.

Ndaj Deklaratës dhe ndaj Kuvendit gjithëserb pati reaguar Ambasada amerikane në Sarajevë, duke thënë se konkluzat e miratuara në Kuvend lidhur me Marrëveshjen e Daytonit dhe shtetin e pavarur të Bosnjë-Hercegovinës nuk paraqesin mbrojtje të marrëveshjes, siç pretendojnë autorët, por janë një sulm i qëllimshëm ndaj asaj marrëveshjeje dhe institucioneve shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës.
Mospajtimin me deklaratën e Kuvendit gjithëserb e pati shprehur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“...E kuptoj që aty përdoret gjuhë që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. E kuptoj që ky është qëndrimi i tyre, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, nuk është i Shteteve të Bashkuara, i partnerëve tanë të QUINT-it apo kujtdo tjetër”, pati thënë Hovenier.

Edhe pse Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ajo mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe deri më tash ka refuzuar që t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës zyrtare pas agresionit mbi Ukrainën.