Arbëri

Serbia nuk po bashkëpunon për rastin e Ivanoviqit e për të tjera

Një marrëveshje e nënshkruar vite më parë mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkim Evropian, për bashkëpunim në çështje juridike, nuk po zbatohet nga pala serbe. Kjo po shkakton vështirësi në proceset gjyqësore, për shkak se nuk po arrihet të sigurohen dëshmitarët, derisa shoqëria civile kërkon që BE-ja të bëjë më shumë presion te Serbia, sidomos edhe për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Prishtinë, 6 mars - Serbia nuk po bashkëpunon as në zbardhjen e vrasjes së ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Shumë dëshmitarë nga Serbia, që po planifikohen të ftohen nga gjykata për të rrëfyer ngjarjen e tyre për këtë rast, nuk po arrijnë të kontaktohen, si shkak i mungesës së bashkëpunimit nga pala serbe.

Për këtë edhe është propozuar nga ana e prokurorit, që shumë dëshmitarëve t’u lexohen dëshmitë e dhëna vite më parë.

Kjo është parë si problematikë edhe nga avokatët e të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në fakt, ka një marrëveshje të nënshkruar vite më parë mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkim Evropian, për bashkëpunim në çështje juridike, por nuk po zbatohet nga pala serbe.

Avokatët kërkojnë që mosbashkëpunimi nga Serbia, për çështje të drejtësisë, të diskutohet edhe në dialog.

“Kjo ndodh prej qershorit të vitit 1999 dhe duket se do të vazhdojë deri kur Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ne gjatë kohës së UNMIK-ut e EULEX-it kemi pasur zyra ndërlidhëse, që kanë pasur një lloj imponimi të bashkëpunimit juridiko-ndërkombëtar, por kjo ka pasur fare pak rezultat, dhe deri tash nuk ka pasur mënyra që ta shtyjnë Serbinë që të bashkëpunojë me Kosovën”, ka thënë Tomë Gashi, avokat i njërit prej të akuzuarve për vrasjen e Ivanoviqit, Rade Basara.

Njëjtë vlerëson edhe Musa Damati, avokat i të akuzuarës Silvana Arsoviq.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar me palën serbe nuk ekziston dhe kjo është një çështje e cila duhet patjetër të trajtohet edhe në dialogun i cili po zhvillohet në Bruksel, sepse është në të mirë të të dyja vendeve”, tha ai.

Sipas monitoruesve të gjykatave, Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë presion te Serbia, pasi ata marrëveshjen teknike të nënshkruar e zbatojnë vetëm për interesa të tyre.

“Kemi parë që Serbia kryesisht i përmbush obligimet, në raste kur është në interes të qytetarëve të saj. Në anën tjetër, besoj se BE-ja do të duhej të ishte më shumë insistuese në raport me Serbinë për të procesuar këto kërkesa, sepse nuk po kërkohet asgjë më shumë e as më pak, por të zbardhet e vërteta e një vrasjeje të ndodhur në Kosovë”, u shpreh Ehat Miftari nga IKD-ja.

Derisa nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se nuk kanë pasur ankesa nga ndonjë gjyqtar për këtë çështje.

“Në përputhje me nenin 4, paragrafi 1, lidhur me nenin 80, paragrafi 1 të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar i Ministrisë së Drejtësisë është i autorizuar të veprojë vetëm mbi bazën e kërkesave të parashtruara nga organet gjyqësore vendore, të përkufizuara në nenin 3, paragrafi 1, pika 1.6 të ligjit të lartpërmendur. Andaj, për arsyet e sipërcituara, ju lusim që kërkesën t’ua adresoni organeve të lartpërmendura. Gjithashtu, nuk kemi pasur ankesa nga ndonjë gjyqtar në lidhje me kërkesat e tyre për shërbimin e thirrjeve për seanca gjyqësore drejtuar palëve në Serbi”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Në lidhje me këtë dhe sa është numri i ankesave për raste të tilla, nuk kanë kthyer përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.