Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar Qeverinë e Serbisë që të formojë një ekip për ta udhëhequr fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ka njoftuar televizioni serb “N1”.
“Përkundër përkrahësve të fortë të pavarësisë së Prishtinës, unë ende mendoj se kemi një shans të vogël dhe për këtë arsye ju kërkoj të luftoni më fort se kurrë. Dua që t’i përkushtoheni kësaj”, ka thënë Vuçiq në një seancë të posaçme të Qeverisë së Serbisë.
Ai ka thënë se kjo është “e një rëndësie vendimtare për Serbinë”.
“Është e mundur që edhe disa vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të mos jenë pozitive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiq.
Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës pritet të merret në mesin e majit.
Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, Vuçiq ka thënë se “nuk mund të pritet asgjë e mirë, pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vazhdojë agresionin ndaj popullit serb, veçanërisht në veri”.
“Nuk kemi asgjë për të fajësuar personalisht për njerëzit që udhëheqin dialogut, por ai është bërë ambalazh dhe hark ndaj veprave kriminale të Albin Kurtit, në të cilin çdo gjë që ai bën duhet të legalizohet dhe të merre edhe pëlqimin e Serbisë për veprimet e tij”, tha Vuçiq.
Ai po ashtu tha se “Serbia s’do të marrë pjesë në këtë” ndonëse vlerëson “se sjellja e arsyeshme dhe racionale është diçka që do të ndryshojë qëndrimin e fuqive perëndimore ndaj Prishtinës”.
Ai ka thënë se më 8 prill në Francë do të ketë takim të rëndësishëm në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron.