Arbëri

Serbia me dënime të ulëta për krimet serbe në Kosovë

Dënime të ulëta ka në aktgjykimin e Gjykatës së lartë të Beogradit për masakrën e Qyshkut. Tre të mbijetuarve, ende të gjallë, ky aktgjykim nuk ua ka dhënë ndjenjën e vendosjes së drejtësisë. Ekspertët vlerësojnë se gjykimi që ka nisur nga viti 2010, është dëshmi e mungesës së vullnetit politik në Beograd për ta mbajtur përgjegjës majën e hierarkisë ushtarake e policore të Serbisë për krimet e luftës

Rexhë Kelmendi është një prej tre të mbijetuarve të masakrës së Qyshkut.

Përveç në prokurorinë vendore, 73-vjeçari ka dëshmuar edhe para gjykatës në Beograd për të kërkuar drejtësi për shtatë familjarët e dy mysafirët që forcat serbe ia vranë më 1999.

Gjykata e Lartë në Beograd këtë javë i ka dënuar shtatë të akuzuar për masakrat e
Zahaqit, Lubeniqit, Qyshkut dhe Pavlanit. Me 20 vjet burgim është dënuar Toplica Miladonoviq, me 13 Predrag Vukoviq, me 12 Abullah Sokiq, me 5 Sinisha Mishiq dhe me nga 2 vjet: Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq e Boban Bogiçeviq.

Kelmendi ka thënë se ky aktgjykim i shkallës së parë, vetëm drejtësi nuk është.

“I kanë pushkatuar, në shpinë të vrarë të gjithë…Kemi dhënë dëshmi shumë herë, por nuk po na besohet dëshmia jonë, s’na besohet hiç. Për atë gjykatë është marri t’i dënojë dy vjet për atë masakër që e kanë bërë”, ka thënë Rexhë Kelmendi, i mbijetuar i Masakrës në Qyshk.

E Xhevavire Çeku-Kelmendi, motra e ish-komandantit të UÇK-së, Agim Çeku, tregon se gjatë masakrës, forcat serbe e kërkuan atë dhe më pas vranë e dogjën familjarë saj.

“Të atin tim, Hasan Brahim Çekun, e kanë vrarë në shtëpinë në lagjen ”Çeku”. Aty është vrarë babai im, me pretekstin se ku është familja e Agimit dhe im atë ashtu siç ka jetuar, ashtu edhe e pati vdekjen, me krenari, me një dinjitet shumë të lartë dhe thotë: unë jam babai i Agimit, nëse dikush duhet të paguajë kosto për të birin tim që është shef shtabi e udhëheqës i UÇK-së, atëherë jam unë dhe familja ime”, ka thënë Xhevahire Çeku – Kelmendi, familjare e viktimave.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka konstatuar se ky proces është i stërzgjatur, meqë aktakuza e parë është ngritur më 2010. Marina Klajiq, përfaqësuese e viktimave në këtë organizatë, ka theksuar mungesën e vullnetit politik në Serbi për trajtimin e çështjeve të krimeve të luftës, sidomos në Kosovë.

“Përgjithësisht në Serbi ka munguar vullneti politik për procedimin e rangut të lartë ushtarak e policor për krime lufte. Sidomos për krimet e bëra në Kosovë. Njerëzit ndodhen këtu, nuk i kanë dërguar në Hagë, por thjesht nuk ka vullnet politik. Ndaj komandantit të Brigadës 125 të Motorizuar të Armatës Jugosllave, Dragan Zhivanoviq, Prokuroria ka zhvilluar hetim – në zonin e përgjegjësisë së tij ndodheshin të gjitha këto fshatra. Kemi pritur që të ndodhë diçka, mirëpo Prokuroria ka deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme dhe me kaq ka përfunduar gjithçka dhe nuk është procesuar më tej”, ka thënë Marina Klajiq, përfaqësuese e viktimave në FDH, Serbi.

Ish-hulumtuesi i Human Rights Watch, Frederick Abrahams, tha se organet serbe u shtynë ta trajtojnë këtë rast, vetëm pas publikimit të fotografive të forcave ushtarake serbe nga këto fshatra.

Ai e quan këtë drejtësi të copëtuar, meqë kreut të zinxhirit komandues në Serbi as që i është ngritur aktakuzë. Abrahams shprehet i çuditur edhe me institucionet e Kosovës që nuk i përcjellin gjykimet për krime lufte në Serbi. 

“Bllokimi i drejtësisë nga Serbia nuk po sfidohet dhe kjo është çështja....dua t’ua kujtoj të gjithëve që trupat u zhvendosën nga Kosova në Serbi, në mënyrë të organizuar, sistematike, me politikë të kontrolluar e të mbikëqyrur për t’i fshehur provat, dhe këta njerëz, siç e dimë u varrosën në Batajnicë dhe në vende të tjera të varrezave masive në Serbi. T’i shohim ato. Ta shohim se ç’ndodhi. Fakti që kjo nuk është kërkesë dhe që nuk ngrihet si çështje vazhdimisht është shqetësuese. Nuk mendoj se mund ta kemi një zgjidhje të sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj situate të vazhdueshme, pa i ekzaminuar kohët e vështira të së kaluarës”, ka deklaruar Frederick Abrahamas, ish-hulumtues në HRW.

Në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Lubeniq vetëm gjatë 14 majit 1999, forcat serbe vranë mbi 100 civilë shqiptarë.