Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen për qarkullim të veturave mbi urën e lumin Ibër ka bërë që zyrtarët serbë t’u rikthehen kërcënimeve edhe me ndërhyrje në Kosovë. Por njohës të sigurisë thonë se me gjithë tendencat destabilizuese të Serbisë që pritet të rriten, hapësira e saj për të manovruar në Kosovë është zvogëluar
Zyrtarë të lartë serbë kanë çuar mesazhe kërcënuese duke përmendur edhe mundësinë e intervenimit, pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e veturave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmendi rrethanën nga e cila, siç ka thënë, do ta pësonin të gjithë.
“Është shumë e vështirë për popullin serb në Kosovë dhe se pushtimi i objekteve të ‘Postës së Serbisë’ në veri të Krahinës është dhunë, sepse ka marrëveshje të nënshkruara për postën dhe telekomunikacionin që janë dhunuar dhe shembur brutalisht. Besoj se KFOR-i do të ketë sukses në sigurimin e paqes dhe mbrojtjen e jetëve të serbëve. Besoj se nuk do të na sjellin në një pozicion ku duhet të reagojmë, sepse kjo do të ishte një fatkeqësi për të gjithë ne. Por, ndonjëherë dikush ju vë në një pozicion nga i cili nuk mund të dilni. Unë besoj se ne ende mund ta bëjmë atë”, ka deklaruar Vuçiqi.
Por njohës të sigurisë vlerësojnë se gjasat për ndërhyrje janë të vogla duke iu referuar prezencës së madhe të NATO-s dhe organeve të sigurisë së Kosovës.
“Gjasat janë shumë të vogla për faktin se është një koncentrim i shtuar jo vetëm në numër por edhe në teknologji në ato komuna dhe reagimi i misionit të NATO-s do të jetë shumë më i shpejtë sesa në rastin e vitit të kaluar. Shtuar këto koncentrimin policor të Kosovës në ato komuna, besoj që situata e sigurisë është më e favorshme. Kemi edhe vendosje të infrastrukturës më të mirë të sigurisë se në ato komuna janë hapur disa stacione që mund të ketë reagim më të shpejtë”, ka thënë eksperti i çështjeve të sigurisë, Bejtush Gashi.
“Në rrafshin e sigurisë së përgjithshme, situatën e kemi të njëjtë, të brishtë, pasi ka mosbashkëpunim mes popullatës lokale me autoritetet e sigurisë. Popullata pakicë atje nuk i beson Policisë së Kosovës dhe derisa nuk arrijmë në nivel të bashkëpunimit qytetar-polici, atëherë s’mund të themi se situata është stabile. Në fund fare nuk janë bërë investime të dukshme atje, që të bindet popullata pakicë, e cila jeton në ato komuna për të mirat që sjell integrimi dhe t’u jepet mundësia autoriteteve lokale të vendosin për çështje lokale”.
Sipas Gashit, Serbia vazhdon të jetë faktor destabilizues dhe se këtë e ka dëshmuar me përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit përmes aktiviteteve dhe presioneve që ka zhvilluar ndaj Kosovës, “përmes grupeve kriminale të cilat i kontrollon në katër komunat veriore dhe jo vetëm, pasi i ka edhe strukturat e inteligjencës”.
“Mirëpo vendimet e Qeverisë së Kosovës në raport me kërkesat e BE-së e SHBA-së dhe ky moskoordinim ka ndikuar që BE-ja të ndërrojë kursin e mbështetjes për Kosovën. Aktualisht BE-ja ka një qasje të anuar nga Serbia për faktin se ajo ka arritur në rrafshin diplomatik të marrë përkrahje”, ka theksuar ai.
Gashi e sheh sfiduese refuzimin e popullatës lokale për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, teksa ka shtuar se mund të ketë nxitje për protesta nga ana e Serbisë.
“Ky është fillimi, sigurisht do të ketë reagime të tilla për faktin se tash fillon presioni politik që mbështetet direkt nga qeveria e Serbisë dhe paritë politike që ushtrojnë aktivitet në ato komuna. Ky presion mund të nxisë edhe bashkësinë ndërkombëtare në vendime që shkojnë në disfavor të integrimit të pakicës serbe atje”, është shprehur ai.
Me këtë Gashi i është referuar vendimit të fundit të Bashkimit Evropian për t’i njohur pasaportat e serbëve të Kosovës, të lëshuara nga strukturat ilegale të Serbisë.
Muajin e kaluar Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. Vendimi nxiti reagimin e Qeverisë së Kosovës, sipas së cilës pranimi i këtyre dokumenteve nuk u kontribuon përpjekjeve për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.