Arbëri

Serbia e konsideron të jashtëligjshme ndihmën e Kosovës për fermerët në Luginë

Lugina e Preshevës

Foto: Arkiv

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka thënë se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd, u ka kërkuar që ta anulojnë konkursin për subvencionimin e kulturave bujqësore nga Fondi i Republikës së Kosovës. 

Në një status në Facebook ai ka thënë se në përgjigjen e kësaj Ministri u është bërë e ditur që nëse Këshilli nuk e anulon këtë konkurs, atëherë atë do ta bëjë Ministria, e cila thuhet se vendimin për hapjen e konkursit e konsideron të jashtëligjshëm. 

“Pas përgjigjes tonë lidhur me konkursin për subvencionimin e kulturave bujqësore nga Fondi i Republikës së Kosovës, dje në ora 15:36 na ka ardhur kundërpërgjigja nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd. Ministria në fjalë kërkon që konkursi të anulohet (të shfuqizohet vendimi i KKSH-s), nëse ne nuk e shfuqizojmë këtë vendim atëherë atë do ta bëj vet Ministria, me pretekstin se vendimi është i jashtëligjshëm thuhet në kundërpërgjigjen e Ministrisë”, ka shkruar Lutfiu.

Ai ka paralajmëruar se ata nuk do ta shfuqizojnë vendimin dhe ka thënë se pas konsultimit me Qeverinë e Kosovës do të njoftojnë për hapat e mëtutjeshëm.

Lutfiu e ka akuzuar Serbinë për spastrim etnik të shqiptarëve. 

“Serbia e cila shkel ligjet e veta kur janë në pyetje interesat e shqiptarëve, ajo e cila po bën spastrim etnik. Serbia, e cila për një koment në Facebook e dënoi shqiptarin me një muaj paraburgim dhe me qindra mijëra dinar, nuk ndërmori të njëjtin veprim kur një qytetar serb kërkoi zola (granatahedhës dore) për ta bombarduar ndërtesën e KKSH-s”, ka shkruar ai.

Lutfiu ka thënë se vendimi i cili është krejt transparent po konsiderohet i jashtëligjshëm. 

“Serbia e cila autorët e Banjskës po i mban të lirë, po e konsideron të jashtëligjshëm një vendim (krejt transparent) të Këshillit Kombëtar Shqiptar për t'i mbështetur familjet shqiptare të Luginës së Preshevës e që për pjesën më të madhe të tyre bujqësia është veprimtaria kryesore e ekzistencës së tyre, e që për më tepër bëhet fjalë për një donacion, e jo nga mjetet e rregullta të Këshillit. Ata që e iniciuan këtë çështje, përtej dallimeve politike, KURRË nuk kisha dashur t'i shoh në këtë rrugë”, ka shkruar ai. 
Anulimin e vendimit e kishte kërkuar më parë edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Qeverinë e Serbisë, Tomislav Zhigmanov. 

Pas deklaratave të tij kishte reaguar edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.