“Republika e Serbisë thekson se kjo mbështetje nuk nënkupton pranimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së dhe as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në letrën, që në emër të Serbisë e ka paraqitur kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila e ka përfaqësuar Beogradin zyrtar në samit
Duke paraqitur rezerva ndaj deklaratës së miratuar në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbia ka konfirmuar edhe me shkrim se nuk e ka ndërmend që ta zbatojë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve me Kosovën dhe Aneksin e implementimit të saj, të dakorduar në Ohër.
Ani se në Deklaratën e samitit të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, thuhet se asaj i janë bashkuar të gjitha vendet e rajonit, Serbia, sipas burimeve diplomatike të KOHËS, ka paraqitur rezerva nëpërmjet së cilave ka bërë të qartë se pranimi i tekstit të deklaratës nga ana e saj nuk e nënkupton edhe pranimin de facto apo de jure të pavarësisë së Kosovës.
“Republika e Serbisë thekson se kjo mbështetje nuk nënkupton pranimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së dhe as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në letrën, që në emër të Serbisë e ka paraqitur kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila e ka përfaqësuar Beogradin zyrtar në samit.
Në Bashkimin Evropian kanë thënë se ky ka qenë një “pozicion nacional i Serbisë”, porse kanë insistuar që “edhe Serbia është pajtuar me tekstin e deklaratës”.
Bashkimi Evropian vazhdimisht u bën ftesë Kosovës dhe Serbisë që “në tërësi, pa vonesa dhe pa parakushte” të zbatojnë Marrëveshjen. Kjo është përsëritur edhe në deklaratën e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
“U bëjmë thirrje të dyja palëve, që në tërësi ta zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve dhe Aneksin e tij, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në deklaratë.
Por, autoritetet në Serbi vazhdimisht kanë thënë se nuk do ta zbatojnë asnjë pikë që “i tejkalon vijat e kuqe të Serbisë”.
Bashkimi Evropian nuk ka reaguar asnjëherë ndaj deklaratave të tilla të Serbisë. Tani Serbia e ka shprehur këtë qëndrim dhe me shkrim.
Ndërkaq, nga burimet diplomatike KOHA ka mësuar po ashtu se edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë gjatë paraqitjes së saj në Samit disa vërejtje lidhur me deklaratën e Samitit të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, pasi që aty nuk përmendet sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.