Arbëri

Serbia do ta kërkojë ekstradimin e Artan Hajrizit nga Gjermania

Vrasja Lloznice

Foto: Danas

Serbia do të kërkojë ekstradimin e Artan Hajrizit, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, teksa ka vizituar vendin ku, sipas autoriteteve serbe, është vrarë i dyshuari për vrasjen e një polici në Lloznicë një ditë më parë.

I dyshuar për vrasje ka qenë Faton Hajrizi, që ishte në arrati që nga 6 korriku kur iku nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri. Megjithatë, deri tash autoritetet serbe nuk kanë bërë publik identitetin e të vrarit. Nga vendi i quajtur Banja Kovilaça, Daçiq i është referuar si “terroristi shqiptar”. 

Ai ka thënë se Serbia do t’i kërkojë Gjermanisë ta ekstradojë vëllain e të dyshuarit duke e quajtur “bashkëpunëtor në veprën terroriste”.

“Rrëfimi se vëllai i tij ia ka vjedhur dokumentet është gënjeshtër. Përse do të vinte këtu, nëse ka qenë në Gjermani. Ai ia ka dërguar dokumentet dhe është bashkëpunëtor”, ka thënë Daçiq, raporton “Danas”.
Sipas Daçiqit, i dyshuari i vrarë para se të vritej kishte shtënë në drejtim të Policisë. “Ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej”, ka thënë Daçiqi.

Vrasja e policit N.K. ndodhi në orët e para të së enjtes, pasi Policia serbe e ndaloi një veturë në të cilën ishte i dyshuari. Sipas autoriteteve serbe në vendngjarje ishin gjetur dokumente të Artan Hajrizit. Megjithatë, pas paraqitjes së tij në disa media, Hajrizi u shpreh se është në Gjermani. Sipas versionit të tij, pas arratisë Faton Hajrizi, të cilin e ka vëlla, ka shkuar në banesë tek ai në Gjermani dhe ia ka vjedhë dokumentet.

Gjatë të premtes, autoritetet e Serbisë publikuan fotografinë e Faton Hajrizit duke u bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim. 

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka kërkuar autoriteteve serbe që ta bëjnë të ditur identitetin e të vrarit.