Kryeministri Albin Kurti e ka denoncuar Serbinë në Bruksel si fajtore për sulmin e së premtes së kaluar në kanalin Ibër Lepenc. Në takim me ndihmëssekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien, kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e dorëzimit të organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë vitin e kaluar, Milan Radoiçiq, për t’i shmangur aktet e tilla në të ardhmen
Liderët e shtetit kanë vijuar ta denoncojnë Serbinë në Bruksel si nxitëse dhe organizatore e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Kryeministri Albin Kurti, i cili të mërkurën në Bruksel takoi ndihmëssekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se lënia në liri e Milan Radoiçiqit është kërcënim për Kosovën.
Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij. Kurti në takim ka thënë se Radoiçiqi vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që, sipas tij, ai endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje.
“Kryeministri ndau me z. O'Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Sulmi i 29 nëntorit ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë. Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe”, thuhet në njoftim.
Kurti ia theksoi O’Brienit se sulmi në Ibër-Lepenc më 29 nëntor ishte i treti në tri ditë, pas atyre në Zveçan.
“Sulmi i së premtes së 29 nëntorit ishte sulmi i tretë në tri ditë që për cak kishin institucionet e vendit. Paraprakisht target ishin stacioni i Policisë në Zveçan dhe ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Zveçanit. Gjithashtu, ai përbën sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve”, shkruan më tej në komunikatë.
Një ditë më herët, Kurti takoi lidershipin e ri të Bashkimit Evropian ku temë diskutimi ishin edhe zhvillimet në veri. Ndërkohë BE-ja ka kujtuar obligimet që kanë Kosova e Serbia nëse duan anëtarësim në BE. Përfaqësuesja e re e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të zgjidhet rasti “Banjska” dhe po ashtu Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë. Sipas Kallasit, e vetmja rrugë për anëtarësim në BE për Kosovën dhe Serbinë është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, me bazë në Marrëveshjen e Ohrit.
Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde përmes një postimi në platformën “X”. Sipas tij e vetmja mënyrë që Kosova e Serbia të hyjnë në Bashkim Evropian është ta njohin njëra-tjetrën.
Rohde ka cituar deklaratat e dhëna nga kancelari gjerman Olaf Scholz në vitin 2022 gjatë një vizite në Ballkanin Perëndimor si dhe ka shpërndarë postimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas.
“Saktësisht. Siç tha kancelari Olaf Scholz në vitin 2022 gjatë vizitës së tij në rajon: Vetëm ata kandidatë që njohin njëri-tjetrin mund të marrin anëtarësimin në BE”, ka shkruar ambasadori Rohde.
Kosova e Serbia arritën pajtim për marrëveshjen bazë më 27 shkurt dhe më 18 mars 2023 u arrit dakordimi për Aneksin e Zbatimit të saj. Edhe pse Kurti ka insistuar që këto dokumente të nënshkruhen si garancë për zbatim, Serbia ka refuzuar të bëjë këtë. Pavarësisht mungesës së nënshkrimeve, Brukseli e konsideron si marrëveshje obligative.
Mes tjerash, marrëveshja parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohjen e ndërsjellë të simboleve shtetërore. Po ashtu kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme.
Megjithatë, pas refuzimit të Serbisë për zbatim dhe një letre të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në të cilën u tha se s’do të zbatohen disa pjesë – Kurti ka refuzuar në qershor të këtij viti takim me Vuçiqin. Ai vendosi tri kushte: që të tërhiqet kjo letër, që të dorëzohet Radoiçiqi dhe të nënshkruhen marrëveshjet.