Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog në Serbi, ka anuluar vendimin e Këshillit për subvencionimin e fermerëve nga Lugina e Preshevës të financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Sipas tij ky është një veprim tjetër i diskriminimit konstant, në çdo sferë që u ndodh shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Komunat e Preshevës e Bujanocit vazhdojnë të jenë ndër më të varfrat në Serbi, e Qeveria po vazhdon, lëre që nuk ndërmerr asnjë hap drejt përmirësimit të situatës, ajo po bllokon edhe ato procese që po mundohemi t’i ndërmarrim bashkë me Qeverinë e Republikës së Kosovës e në mbështetjen e zhvillimit në Luginë”, ka shkruar Rexhepi.
Ai ka thënë se për vendimin kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Administrative dhe presin një vendim të drejtë.
“Nëse në Serbi ka qoftë edhe pak drejtësi, ky vendim duhet të kthehet dhe fermerët tanë të përfitojnë nga kjo shumë”, ka shkruar Rexhepi.