Një vit prej kur Kosova ka vendosur masën e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe, kanë reaguar në Qeverinë e Serbisë, duke thënë se u është bërë dëm në vlerë prej 210 milionë eurosh. Lidhur me këtë, në Bashkimin Evropian kërkuan nga Kosova e Serbia që të përmbahen nga veprimet e njëanshme. Si rezultat i kësaj mase që ndalon hyrjen e një pjese të mallrave serbe në Kosovë, Serbia ka kaluar në vendin e tretë prej vendeve të CEFTA-s që eksportojnë më së shumti produkte në Kosovë
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është ankuar se Kosova i ka shkaktuar dëm rreth 210 milionë euro, me vendimin e para një viti për vendosjen e masës së sigurisë për produktet serbe që hyjnë në Kosovë. Drejtori i kësaj Zyre, Petar Petkoviq, u shpreh të premten se me këtë vendim kryeministri Albin Kurti i ka shkelur në mënyrë drastike përveç marrëveshjet e Brukselit, edhe të drejtat e serbëve.
“Kurti shkel drejtpërdrejt edhe CEFTA-n edhe Marrëveshjen e Brukselit dhe në këtë kuptim, kur shikon dëmin më të drejtpërdrejtë të shkaktuar nga ky vendim, tani është rreth 210 milionë euro, por dëmi real në fakt është shumë, shumë më i madh. Së pari, më të kërcënuarit janë serbët në Kosovë dhe Metohi, sepse shumë dyqane që vareshin drejtpërdrejt nga mallrat serbe, dyqane të vogla, janë mbyllur”, ka thënë Petkoviq.
Më 14 qershor të 2023-s Qeveria kishte vendosur ndalimin e të gjitha produkteve serbe që hynë në Kosovë. Disa javë më pas, Qeveria pati marrë vendim për zbutjen e kësaj ndalese, duke hequr masën e sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produktet. Lidhur me ndalimin një vjeçar të produkteve serbe, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kërkoi nga të dyja palët – Kosova dhe Serbia - që të mos marrin vendime të njëanshme.
“Është qëndrim i Bashkimit Evropian që Kosova dhe Serbia në çdo gjë që bëjnë duhet t'u përmbahen marrëveshjeve të lidhura në Dialog (Beograd-Prishtinë) dhe të parandalojnë ose të përmbahen nga lëvizjet që nuk janë të koordinuara dhe të njëanshme”, është shprehur Stano.
Por, ndaj deklaratës së Stanos, ka reaguar Petkoviq, duke thënë se kjo dëshmon politikë të standardeve të dyfishta.
“Prishtina bëri një lëvizje përshkallëzuese dhe prishi marrëveshjet, BE u bën thirrje 'të dyja palëve' të përmbahen. Nga çfarë duhet të përmbahet saktësisht Beogradi? Kërkesa që populli ynë të ketë ushqim bazë? Kërkoni që Prishtina të respektojë marrëveshjet dhe të mundësojë qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve”, ka deklaruar Petkoviq.
Si rezultat i ndikimit të kësaj mase, Kosova ka ndërruar partnerët e saj për importimin e mallrave. Serbia e cila ka qenë një ndër vendet nga është importuar më së shumti mall nga vendet e CEFTA-s, tash qëndron e treta në radhë me vetëm 3.4 për qind, sipas të dhënave të ASK-së për tregtinë e jashtme të publikuara në fund të majit. Para Serbisë është Shqipëria me 5.5 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 5.3. Sipas ASK-së, importet nga vendet e CEFTA-s kanë arritur vlerën e 926 milionëve apo 15,7% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 7,4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.