Qytetarit që iu gjet eksploziv nën veturë në Tvërgjan të Leposaviqit është punonjës i institucioneve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Në polici, ai ka thënë se vepra ndaj tij është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi. Siç është bërë e ditur nga policia, nën veturën e tij u gjet eksploziv e mjete të tjera shpërthyese – prodhim i Serbisë
Qytetari serb, i cili të martën raportoi në polici se nën veturën e tij në Leposaviq ka gjetur eksploziv, punon në institucionet publike të Kosovës.
Ai dyshon se vepra ndaj tij është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi nga strukturat ilegale serbe.
Sipas raportit policor të Kosovës, në vendin e ngjarjes në Tvërgjan të Leposaviqit, të martën gjatë ditës është çaktivizuar eksplozivi.
“Ankuesi mashkull serb kosovar, ka raportuar se në veturën e tij ka vërejtur diçka të dyshimtë që mund të jetë eksploziv. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore si dhe njësia për çminim e PK-së e cila ka bërë çaktivizimin e eksplozivit. Nga vendi i ngjarjes janë tërhequr: një paketim eksploziv plastik PENT (prodhim serb), një detonator elektrik, një bateri 9 volt, 6 magnete dhe një tel përçues. Ankuesi deklaron se nuk ka problem me askënd, mirëpo ai dyshon se vendosja e eksplozivit është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi, pasi ai punon në institucionet e Republikës së Kosovës. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në mbrëmjen e së martës lidhur me vendosjen e eksplozivit ka reaguar edhe Xhelal Sveçla, ministër i Brendshëm.
Ai ka thënë se kjo është shenjë e dëshpërimit të Serbisë dhe se ka kaluar koha e bombave.
“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftënxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses. Zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi”, ka shkruar Sveçla.
Sulmet të tilla me qëllim të frikësimit të pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës kanë qenë të shpeshta në këtë pjesë të vendit.
Këtë muaj i është djegur vetura një polici të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Ndërsa më herët gjatë vitit është djegur një lokal i Natasha Tomaniqit, nënkryetare e Zveçanit dhe një lokal i Nenad Radosavleviqit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën e Leposaviqit.
Dyshimet e viktimave janë se synimi është pikërisht presioni për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës.