Arbëri

Serbët refuzojnë t’i ndërrojnë targat, presin sinjale nga Serbia

Tri javë para se të përfundojë afati për regjistrimin e targave ilegale serbe nga KM në RKS rrugët e veriut të Mitrovicës vazhdojnë të jenë të mbushura me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Thirrjet e shumta të institucioneve të Kosovës bërë serbëve që t’i konvertojnë këto targa brenda afatit prej dy muajsh duket se kanë hasur në vesh të shurdhër.

Duke refuzuar t’i regjistrojnë tabelat në RKS serbët u janë bindur thirrjeve nga Serbia që të mos përfshihen në këtë proces.

Unë nuk e kam ndërmend ta regjistrojë por nëse i regjistrojnë të gjithë do ta regjistrojë edhe unë. Unë nuk e di nëse ky është problem mes Kurtit e Vuçiçit, këtë ata më së miri e dinë”, ka thënë një qytetar serb në Mitrovicë të Veriut.

“Ne i kemi të regjistruara veturat. Jo nuk do ta regjistroj në RKS”, tha një tjetër.

Ka edhe prej tyre që mendojnë se ky proces është më shumë politik.

“Le të flasin ata që duhet të flasin për këtë, por unë mendoj se është më shumë problem politike kjo”, shtoi një qytetar serb.

Ndonëse serbëve u janë krijuar shumë lehtësira me rastin e ndërrimit të tabelave, deri më tani në Kosovë janë regjistruar vetëm 9 vetura.

E që nga koha kur u sulmuan dy persona të cilët i kishin regjistruar veturat e tyre në RKS në komunat veriore nuk është regjistruar asnjë veturë.

“Të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve në Kosovës deri më tani janë të regjistruara 9 automjete. Dy automjete në veri janë regjistruar. Procedurat për regjistrim prej targave ilegale në ato RKS duhen dokumentet e identifikimit, patentë shoferi me afat, polisa e sigurimit, kontrolli teknik si dhe të pajisjet me taksë rrugore dhe ekologjike”, tha Ardita Ademi, udhëheqëse e Qendrës së Regjistrimit të veturave në Komunën e Mitrovicës.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Skënder Sadiku, thotë se derisa Kosova dhe Serbia nuk arrijnë një marrëveshje serbët e veriut do të vazhdojnë t’u binden urdhrave nga Beogradi.

“Realisht numri është tepër i vogël edhe pse koha po e bënë të veten, po ofrohet fundi i muajit. Në takimet që kanë bërë krerët e komunave dhe asamblistë e komunave të veriut kanë dhënë blanko besim të Listës Serbe dhe qeverisë së Serbisë dhe kjo i mbetet qeverisë së Serbisë që në çfarëdo forme u bënë apel apo presion do të kryhet edhe kjo edhe pse prapë po them kjo ishte duhet të ishte çështje teknike”, pohoi Sadiku.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Komisionin për Integrime Evropiane ka thënë se për shkak të ndjeshmërisë së situatës ata nuk mund të ofrojnë detaje se si do të veprojnë pas 31 tetorit kur edhe përfundon afati i regjistrimit të targave.

Derisa ka thënë se ekziston një presion i madh nga ana e Serbisë që serbët të mos i regjistrojnë targat e tyre nga ilegale në RKS.

“Ka shumë elemente që nuk munden me dalë në publik për arsye se rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit dhe mendojë se të gjithë duhet të jemi të kujdesshme m në këtë drejtim. Unë sot nuk mundem me ju thanë sot çka kemi me bo me 30 tetor ose me 1 nëntor pastaj s’mundesh me bo. Kështu që duhesh me pa s pak mirëkuptim pasi që dialogu është çështje e ndjeshme”, u shpreh Bislimi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vazhduar t’u bëjë thirrje serbëve që të bëjmë regjistrimin e veturave deri më 31 tetor derisa pas kësaj date ai ka paralajmëruar se veturat me targat ilegale nuk do të mund të qarkullojnë lirshëm.

Më 19 shtator Sveçla kishte bërë të ditur se një oficeri të Policisë së Kosovës i ishte djegur vetura, pasi e kishte regjistruar me targa RKS.

Po të njëjtën ditë një qytetari serb i ishte djegur depoja, pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij.

Nga 1 shtatori ka filluar procesi i regjistrimit të veturave me targa ilegale në ato RKS.

Ky proces do të zgjasë deri më 31 tetor 2022.