Arbëri

Serbët protestojnë për të dytën ditë, paralajmërojnë bllokim të pikave kufitare Serbi-Kosovë

Edhe të martën serbë lokalë, ish-punonjës të institucioneve paralele e kundërshtuan me protestë mbylljen nga Policia e Kosovës të këtyre objekteve. Krahas protestave edhe ditëve në vijim, ata paralajmëruan veprime më radikale, deri në bllokim të kufijve Serbi-Kosovë. Por, në Polici thanë se barrikadimi i rrugëve brenda territorit të Kosovës nuk do të jetë i mundur

Për të dytën ditë radhazi serbë lokalë, ish-punonjës të komunave ilegale në veri që javën e shkuar u mbyllën nga autoritetet shtetërore, qëndruan para këtyre objekteve me synimin për t’u paraqitur në punë.

Për ta kundërshtuar mbylljen e këtyre institucioneve ilegale, ata të martën qëndruan shkurt dhe disa metra larg shiritit të vendosur nga Policia e Kosovës pranë objektit të ish-Komunës paralele të Mitrovicës së Veriut.

Veton Elshani, zëvendëskomandanti i Policisë për Rajonin e Veriut, tha se hyrja në hapësirën e këtyre institucioneve është e pamundur teksa shtoi se protesta ka shkuar pa incidente.

“Këta vazhdojnë të paraqiten në detyrë, sipas tyre, por për ne nuk është ndonjë problem. Qëndrojnë për kohë të shkurtër, nuk ka pengesë në kryerjen e detyrave tona, nuk ka kurrfarë problemi”, tha Elshani.

Pranë objektit të ish-Komunës paralele qëndron Policia e Kosovës. Pas përfundimit të protestës nisi edhe puna e kontraktuar nga autoritetet shtetërore për vendosjen e kamerave të sigurisë përreth objektit.

E serbët paralajmëruan se protestat e ngjashme do t’i vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

Krahas kësaj, ata kërcënuan edhe me masa të tjera më radikale.

“Në shenjë revolte ndaj mbylljes së objekteve të strukturave ilegale të Serbisë që operonin në Kosovë, serbët kanë paralajmëruar që nga e premtja e 6 shtatorit do t’i bllokojnë të gjitha pikëkalimet kufitare Serbi-Kosovë”.

Kryetari i Asociacionit të qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, tha se bllokadat do të zgjasin derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu dhe serbëve t’u kthehen institucionet e mbyllura paralele.

Por zëvendëskomandanti i Policisë, Elshani, thotë se bllokadat e paralajmëruara mund të ndodhin brenda territorit të Serbisë, por jo edhe në atë të Kosovës.

“Në rast se ndodhë një bllokadë e tillë në pjesën e Serbisë, d.m.th. jo në zonën tonë, konsiderojmë që kemi numër të mjaftueshëm të policëve në rast se ka nevojë të ndërhyhet. Edhe pse nuk e konsideroj, në bazë të përvojës, që do të vije deri aty... Nuk ka mundësi me pasë barrikada në territor të Kosovës, hiq. Nëse ka, ne i kemi punët tona që i kryejmë”, tha Elshani.

Nën dyshimet se lëshonin dokumente të falsifikuara, të premten Policia e Kosovës ndërmori një aksion për mbylljen e 5 institucioneve paralele serbe, komunës se Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komunës paralele të Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit,  Zubin-Potokut dhe asaj të Leposaviqit.