Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Zubin-Potok, Vedat Mehemti, ka thënë se ka pranuar në email një kërkesë për inicim të peticionit për shkarkimin e kryetarit të kësaj komine Izmir Zeqiri.
“Po kam pranuar në email kërkesën e nënshkruar nga tre qytetarë serbë, për inicimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës sipas Udhëzimit administrativ”, është shprehur Mehemeti për KOHËN.
Ai ka thënë se brenda 5 ditësh do ta shqyrtojë këtë kërkesë dhe do të njoftojë nëse do ta pranojë atë kërkesë.
Një kërkesë e tillë, të enjten fizikisht është dorëzuar në komunën e Mitrovicës së Veriut, për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq.
KOHA është në pritje të përgjigjeve nëse kërkesa për inicim të peticioneve për largim të kryetarëve janë dorëzuar në Zveçan dhe Leposaviq.
Sipas Udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar për peticionin si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.
Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.
Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.
Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.
Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.
Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.