Shkollat në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do të vendosen në dispozicion të KQZ-së për ta zhvilluar procesin e zgjedhjeve nacionale. Anëtarë të KQZ-së kanë konfirmuar se serbët janë dakorduar që votimi të bëhet brenda shkollave, drejtorët e të cilave kishin refuzuar t’i hapnin në dy proceset e kaluara të votimit
Objektet e shkollave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok, do të jenë në shfrytëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ta zhvilluar procesin elektoral të 9 shkurtit.
Për zgjedhjet e fundit lokale, por edhe votimin për shkarkimin e katër kryetarëve jo serbë nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, me urdhër të Listës Serbe, drejtorët nuk i kishin hapur shkollat.
Ndryshe nga dy herët e kaluara, për zgjedhjet e ardhshme, anëtarë të KQZ-së bënë të ditur se ka dakordim me drejtorët e shkollave e me zyrtarët komunalë në veri, që procesi zgjedhor të mbahet brenda këtyre objekteve.
Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ, ka thënë se nuk ka kuptim që votimi të bëhet në objekte të tjera pos shkollave siç ka ndodhur në të kaluarën.
“Qendrat e votimit parimisht duhet të jenë në hapësira publike, në këtë rast në shkolla. Një komunikim të tillë ne e kemi pasur edhe me zyrtarët komunalë në katër komunat në veri, në këtë rast edhe të KQZ-së, por edhe të komunave përkatëse me të cilat kemi komunikuar për hapjen e këtyre qendrave të votimit... Deri tash të gjitha planifikimet e KQZ-së janë që ky proces të zhvillohet në shkolla. Pra siç është zhvilluar më 2013, 2014, 2017, 2019 dhe më 2021”, ka thënë Elshani.
Por, në KQZ thanë se lista me qendrat e votimit, përfshirë edhe ato në veri, është ende në proces hartimi.
Në një përgjigje të shkruar të këtij institucioni është thënë se KQZ-ja është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve për të gjitha komunat.
“Në kuadër të këtyre përgatitjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në proces të vlerësimit dhe hartimit të listës së Qendrave të Votimit për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit më 9 shkurt 2025”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së.
Ndonëse shkollat në veri pritet të jenë të hapura për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, qytetarët serbë të kësaj pjese nuk treguan gatishmëri për të votuar.
“Nuk e kuptoj politikën”, tha njëri nga ta, kur u pyet nëse ka disponim të dalë të votojë.
“Nuk e di as për çka janë votimet, më beso”, u shpreh një tjetër.
Disa nga ta thanë se as nuk ka opsione.
“Për kë, për kë të votoj”, pyeti një qytetar, i cili është shprehur i revoltuar edhe me përfaqësuesit e serbëve.
Për shkak të refuzimit të serbëve që t’i vënë shkollat në dispozicion, të dy proceset e kaluara të votimit janë zhvilluar nëpër kontejnerë gjithandej veriut.
Në prill të këtij viti, 33 shkolla kishin refuzuar mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri ndërsa 10 të tjera kanë qenë të qasshme. Atëkohë, KQZ-ja pati vështirësi në sigurimin e këtyre hapësirave për votim, meqë drejtorët kishin refuzuar të komunikonin me ta për këtë çështje, pasi kohë më parë anëtarët serbë të KKZ-ve patën dhënë dorëheqje. Drejtorët e kishin refuzuar takimin me Sekretariatin e KQZ-së pak ditë para procesit të votimit.
Për zhvillimin e votimit në Leposaviq ishin të qasshme tri shkolla ndërsa 15 të tjera jo. Në Zubin-Potok, 10 kishin refuzuar e vetëm në dy ishte mbajtur votimi. Në Zveçan, në dy u votua e katër nuk u lejuan të shfrytëzoheshin. Ndërkaq në Mitrovicë të Veriut, tri ishin të qasshme dhe katër patën refuzuar të vihen në dispozicion.