Për të arritur rezultat të mirë, semimaturantët që iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë, u shërbyen edhe nga inteligjenca artificiale. Nëpërmjet ChatGTP-së, por edhe duke kopjuar në rrjete sociale ku u shpërnda testi, nxënësit siguruan përgjigjet edhe për pyetjet më bazike, si për ato që kanë të bëjnë me shpalljen e pavarësisë.
Të martën është zhvilluar pjesa e parë e Testit të Arritshmërisë, që matë njohurit e fituara gjatë shkollimit 9-vjaçar.
Gjysmë ore pas fillimit të testimit, përgjigjet e tij u shpërndan në një grup të hapur në Viber.
Semimaturantët të cilët iu nënshtruan pjesës së parë të testit, kërkonin ndihmë me pyetjet që ndërlidheshin me shpalljen e pavarësisë së Kosovës apo edhe të identifikonin personalitetet kombëtare përmes fotografive.
Në grupin D është paraqitur një fotografi e momentit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Kuvend. Nxënësve iu kërkohej të tregonin se cili moment paraqitet në fotografi. Për këtë një nxënës kërkoi ndihmë nga pjesëmarrësit në grup.
“Tregoni cilat janë përgjigjet për pyetjet me fotografi”, ishte kërkesa e njërit prej nxënësve në grup.
Për të kopjuar, nxënësit përdorën edhe inteligjencën artificiale.
“Prej internetit, për shembull prej ChatGTP e merrja qysh ka qenë pyetja aty, dhe ma tregonte vitin apo diçka, dhe ashtu e rrethoja përgjigjen”, ka thënë njëri nga nxënësit për KOHËN.
Përderisa disa treguan në kushte anonimiteti se kanë arritur të kopjojnë, disa të tjerë deklaruan se administrimi i procesit është zhvilluar në mënyrë strikte.
“Testi s’ke i zorshëm, me komuniku nuk kemi pasur mundësi aq shumë, pasi mësimdhënësja ka qenë shumë strikte, por kemi kaluar shumë mirë dhe unë mendoj që e kam dhënë maksimumin”, ka thënë Orges Muçolli, semimaturant në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë.
Sipas kohanikut të Orgesit, Ernis Krasniqi, gjatë testimit nuk është lejuar as të komunikojnë me njëri-tjetrin.
“Jo, na kanë qëlluar arsimtaret shumë strikte dhe nuk kanë lejuar as me kopju as me komuniku”, ka thënë semimaturanti Krasniqi.
E disa të tjerë përjashtuan nevojën për kopjim, pasi kanë thënë se pyetjet ishin fare të lehta.
“Testi ke i lehte, s’ke shumë i vështirë, ishin pyetje shumë që të nxisnin të mendosh, s’ke kurrgjë me thanë uoou”, ka thënë pesëmbëdhjetëvjeçari, Art Gashi.
E për Adea Sylejmanin, testi ka qenë goxha stresues.
“Testi mua m’u dok që ke shumë i lehtë pasi kam mësuar, por të njëjtën kohë prej stresit m’u dokshin pak disa gjëra të vështira, se përndryshe kam kaluar shumë mirë”, ka thënë semimaturantja në shkollën “Elena Gjika”.
Në fakt, testi i Arritshmërisë, të cilit i nënshtrohen nxënësit që kanë kryer klasën e nëntë, por më shumë ai i Maturës, janë përcjell me probleme të shumta. Problemi kryesor ndër vite ishte shpërndarja e testeve, siç ndodhi edhe të martën si dhe kopjimi përmes telefonave, që janë të ndaluar të mbahen gjatë testit dhe formave të tjera.
Në ditën e parë, të martën. nxënësit iu nënshtruan matjes së njohurive të fituara në lëndën e gjuhës shqipe, gjuhës angleze, gjeografisë dhe historisë.
E të premten ata do t’i nënshtrohen testimit për lëndën e matematikës, informatikës, fizikës, kimisë dhe biologjisë.
Testi nuk ka një prag të kalueshmërisë, por varësisht nga rezultati i fituar, nxënësit orientohen në arsimin e mesëm të lartë.