Arbëri

Semafori që rrezikon jetën e qytetarëve në Prishtinë

Semafori në Prishtinë

Një semafor në lagjen “Dardania” po ua rrezikon jetën qytetarëve. Kështu janë shprehur banorë e kalimtarë të kësaj ane, duke thënë se ky problem është tash e disa muaj. Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Prishtinë thanë se janë duke bërë ekspertizë në disa segmente rrugore brenda qytetit

Mosfunksionimi i semaforit në rrugën “Bill Clinton” në udhëkryqin që ndan lagjen Dardania dhe Pejton në Prishtinë po u shkakton telashe qytetarëve.

Ata ankohen se po u rrezikohet edhe jeta pasi semafori është jashtë përdorimit për disa muaj dhe ata detyrohen të kalojnë rrugën gjithnjë të rrezikuar nga veturat që nuk ndalen.

Disa banorë të lagjes kanë thënë se brenda ditës kalojnë disa herë këtë rrugë dhe shumë here u është rrezikuar jeta.

“Unë jetoj prapa këtyre banesave këtu ku gjendet edhe kjo pjesë, ku ne tash po intervistohemi. Konsideroj se kjo është tash po them që tre muaj që është e njëjta problematikë te ky semafor, siç edhe ju po e shihni. Momenti kur do të duhej të ishte për kalim për këmbësorë, vazhdimisht qëndron në të kuqen, andaj neve vazhdimisht na paraqet problem, vështirësi, rrezikohemi nga mjetet motorike, të cilat kalojnë”, ka thënë një banor.

E një tjetër banore, Burbuqe Morina, ka thënë se e gjithë kjo situatë nuk ka kuptim.

“I pashë qytetarët duke ecur e kalova edhe unë, rrezikova shumë. Unë jam inxhiniere e komunikacionit, përpos profesoreshë, është rrezik shumë për qytetarët edhe këtu është qendër, nuk ka kuptim”, ka thënë Morina.

Në kushte anonimiteti, banorë të tjerë kanë thënë se komuna ka vendosur disa barriera për të ndaluar kalimin, mirëpo nuk ka njoftuar zyrtarisht për ndalimin e këtij vendkalimi.

Nol Dedaj, njohës i komunikacionit thotë se kjo situatë paraqet shkallë të lartë të rrezikshmërisë.

“Ne aty e kemi defekt punën e semaforit dhe aty pastaj paraqitet nivel i lartë i rrezikshmërisë edhe ndaj këmbësorëve, ajo çka është e pafalshme për komunën, por sigurisht që është edhe ndaj automjeteve që qarkullojnë në atë kryqëzim të rrugës. Ajo është rrugë me dy shirita të komunikacionit me një kahe, me dy kahe në një drejtim edhe e shohim se aty janë dyfish pikat e kontaktit. Që unë do t’i numëroj e janë jo më pak se 72 të konflikti”, ka thënë Dedaj. 

Me këto konstatime nuk është pajtuar drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci. Sipas tij, semafori është jashtë përdorimit qe disa ditë.

“Jo, nuk është e vërtetë që nuk është funksional që dy muaj, ka disa ditë që ne jemi duke e bërë një ekspertizë në disa segmente rrugore në brendi të kryeqytetit, për të krijuar rrethana lehtësuese për lëvizjen e automjeteve. Gjë që pastaj ndikon që të mos kemi shumë tollovi në komunikacion”, ka thënë ai.

Brestovci ka njoftuar se ky vendkalim do të ndalohet për këmbësorë.