Dogana e Kosovës ka njoftuar se të enjten janë sekuestruar dy vetura me targa të huaja e që nuk kishin kryer procedurat doganore.
Sipas Doganës, veturat që vlerësohet të jenë në vlerë totale rreth 400 mijë euro, nuk i plotësonin kushtet për të qenë në qarkullim të lirë.
Bëhet fjalë për një veturë të tipit “Bentley” dhe një të tipit “Range Rover”.
Dogana ka thënë se për rastin është njoftuar prokurori kujdestar për t’i marrë udhëzimet për trajtimin e mëtejmë të rastit.
“Sot, më 12 Shtator 2024, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës në rajonin e Prishtinës kanë ndaluar dy automjete me targa të huaja, të cilat nuk i kanë kryer procedurat doganore dhe nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në qarkullim të lirë. Vlera e këtyre dy automjeteve vlerësohet të jetë rreth 400,000.00 euro. Aktualisht, automjetet janë sekuestruar dhe Prokurori Kujdestar është njoftuar për të marrë udhëzime për trajtimin e mëtejmë të rastit”, thuhet në njoftim të Doganës në Facebook.