Arbëri

Sekretariati i Këshillit të Sigurisë do të kalojë nën Zyrën e Kryeministrit

Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një nismë, me të cilën do t’ia ndërrojë statusin Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Nga agjenci ekzekutive, ky sekretariat do të bëhet departament i Zyrës së Kryeministrit. Kjo politikë do t’i prekë edhe hierarkinë e edhe përgjegjësitë e institucionit më të lartë këshillëdhënës për politikat e sigurisë

Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës është planifikuar të kalojë nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka ndërmarrë këtë nismë nëpërmjet ndryshimeve që ka paraparë në disa ligje, të cilat kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura.

E, në mesin e agjencive ekzekutive që ka paraparë t’ua ndryshojë statusin, është edhe Sekretariati i Këshillit të Sigurisë, e i cili parashihet të bëhet njësi organizative në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. (Neni 16).

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thanë se Sekretariati sikur ky, në shumë vende funksionon brenda Zyrës së Kryeministrit.

“Sekretariati do të ketë statusin e barabartë me të gjitha njësitë organizative në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, pra në nivel të departamentit. Me rastin e hartimit të projektligjit për racionalizimin e agjencive, paraprakisht është përgatitur nga SIGMA analizë e detajuar lidhur me organizimin e institucioneve homologe në disa vende të rajonit dhe evropiane”, thuhet nga MPB-ja.

Kjo politikë do të prekë edhe në hierarki.

Meqë pozita e sekretarit do të shuhet, ky dikaster do të bëhet me udhëheqës, i cili do t’i raportojë drejtpërdrejt kryeministrit.

Të punësuarit e tjerë nuk do të mbeten aty.

E, bazuar në Projektligj, krahas përgjegjësive për përgatitje raportesh e analizash periodike, koordinimit për hartimin e strategjisë dhe politikave të sigurisë dhe ofrimit të mbështetjes administrative dhe funksionale për Këshillin e Sigurisë, Sekretariatit i është përshkruar edhe një përgjegjësi e re.

Pas ndryshimeve ligjore, ai duhet të ofrojë edhe informata të shpejta rreth gjendjes dhe koordinimit të aktiviteteve operacionale në tërë Kosovën.