Arbëri

Sejdiu: S’ka ndodhur që një shtet të kalojë Asamblenë e të mos pranohet në KiE

Bekim Sejdiu, profesor e ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se do të ishte e pazakonshme për Këshillin e Evropës nëse Kosova nuk do të pranohet në këtë organizatë, pas mbështetjes së madhe që ka marrë në Asamblenë Parlamentare. Sipas tij, nuk ka ndodhur në të kaluarën ndonjë rast i tillë.

“Konsideroj se nuk është e zakonshme e as normale e s’do të kalojë tërësisht edhe në Strasburg, pa rënë në sy ky fakt. Fakti që opinioni i Asamblesë së Përgjithshme - nuk është se shpërfillet sepse mund të shtyhet vendimmarrja për një mbledhje tjetër, mund të ketë vendime ad-hoc, situata të paparashikueshme - por s’është e zakonshme, për të mos thënë jonormale, që 82 për qind e deputetëve të asamblesë të votojnë për pranimin e ai shtet të mos pranohet. Mbase do të jetë rasti i parë, në dijeninë time, nëse ndodh. Duke u bazuar në praktikat e KiE-së kjo është situata”, ka thënë ai në  emisionin “60 Minuta” në KTV të premten.

Sejdiu ka deklaruar se Kosova ka përmbushur premisën e kritereve formale, por se janë çështjet e mbështetjes politike ato që po e zvarrisin procesin. Ai ka thënë se nuk ka ndodhur më herët në KiE që anëtarësimi të lidhet me procese politike që zhvillohen në ndërlidhje me organizata të tjera. E Kosovës, po i kërkohen hapa konkretë drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të dalë nga marrëveshja në dialogun me Serbinë.

Madje sipas tij, edhe brenda Këshillit të Evropës nuk ka dëshirë të madhe që të shihet si organizatë e ndërlidhur me BE-në.

Sipas Sejdiut, çështja e anëtarësimit në KiE do të ketë implikime në procesin e dialogut. Ai ka thënë se mbështetja perëndimore për Kosovën që nga nisja e dialogut është reduktuar në përkrahje të procesit të dialogut. “Jo me qëllim të keq, por me idenë se dialogu do të çojë në pikën ku Serbia do të akomodohet me faktin se Kosova është shtet e do të zgjidhë problemin”, ka thënë ai.

“Kushtetuesja nuk i vlerëson propozimet”

Sejdiu ka thënë po ashtu se ka disa vite qëkur Gjykata Kushtetuese e ka praktikuar mosvlerësimin e çështjeve që s’janë akte juridike.

Ai ka thënë se presidentit e kryeministrit u jepet e drejta të referohen çështje kushtetuese, sikur rasti i 2015-s me parimet e Asociacionit nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, por ka shtuar se tash ka disa vite që kjo praktikë ka ndryshuar. 

Sejdiu ka shtuar se Qeveria mund të nxjerrë dekrete të ndryshme, por e ka problem të çojë në Kushtetuese “propozim të palëve të treta, apo ato që konsiderohen vetëm propozim”, duke iu referuar kërkesës që Kosova ta çojë në Kushtetuese drafstatutin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin.

Të rëndësishme për çështjen e Asociacionit, Sejdiu e ka vlerësuar “mekanizmin e kontrollit gjyqësor mbi vendimmarrjen e tij”.