Arbëri

Sejdiu: Kosovarët në të ardhmen do të pyeten më shumë mbi qëndrimin në Gjermani

Mehdi Sejdiu

Mehdi Sejdiu

Mehdi Sejdiu, doktorant në Universitetin e Heildelberg, ka deklaruar se Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka shënuar rritje në zgjedhjet e 23 shkurtit për shkak të politikave mbi migrimin dhe sigurinë në kufij.

Ai ka thënë se kjo mund të jetë edhe pjesë e politikave të kancelarit të ardhshëm. Sipas tij, Friedrich Merz, fitues i zgjedhjeve, do t’i shtrëngojë masat në kufi.

“Në vitet e ardhshme, edhe qytetarët kosovarë që shkojnë në Gjermani me pasaportë të Kosovës, do të marrin më shumë pyetje se sa do të rrinë e ku do të rrinë pasi po krijohet praktikë e madhe...Shtrëngim i masave në kufi. Kancelari Merz do t’i shohë këto gjëra. Nëse migrimi nuk zgjidhet si problem ose nuk zbutet, mendoj se AfD-ja do të rritet”, ka thënë Sejdiu në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka shtuar se mbi 10 milionë gjermanë e kanë votuar AfD-në, si partinë e dytë më të votuar, për shkak të politikave të tilla.

Ndërsa, Sejdiu ka shtuar se koalicioni CDU/CSU pritet ta bëjnë koalicionin dhe ta bëjnë qeverinë.

“Kësaj radhe është thënë se s’do të bëjnë koalicion me AfD-në. Por, do të jetë koalicion i zorit me SPD-në. Mund të hyjnë edhe ‘Të gjelbrit’, por më shumë mund të jetë mes CDU/CSU”, ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, Merz i fitoi zgjedhjet për shkak të politikave ekonomike.

Ai ka thënë se nuk parasheh që qeveria e ardhshme të ndërrojë qëndrime mbi politikat e jashtme.

“AfD-ja e ka pasur në program të përfshihen edhe emigrantët që janë shtetas gjermanë. Me heqjen e shtetësisë, që do të kishte ndikim direkt në shumë qytetarë me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani...Mund të ndikojë edhe sentimenti anti-migrant, diçka si ndaj një personi që ka një origjinë jashtë Gjermanisë”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, shtrëngimi i masave të migrimit do t’ua vështirësonte qytetarëve të Kosovës marrjen e lejeqëndrimit.