Gazetari Idro Seferi ka thënë se dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, do të jetë e pamjaftueshme për t’i ndalur protestat që kanë shpërthyer pas shembjes së strehës në një stacion hekurudhor në Novi Sad, ku vdiqën 15 persona në fillim të nëntorit.
Në një prononcim nga Beogradi, Seferi ka thënë se duhet pritur se cili është plani i presidentit Aleksandar Vuçiq pas këtyre zhvillimeve. Vuçiqi më vonë gjatë mbrëmjes ka konferencë të jashtëzakonshme.
“Protestat kanë vazhduar edhe sot në Novi Sad pas incidenteve që kanë ndodhur ditëve të fundit, ku anëtarët e partisë së Vuçiqit kanë sulmuar disa studentë. Reagimet e protestuesve ende nuk janë formësuar pas dorëheqjes së kryeministrit. Dorëheqja e Vuçeviqit nuk duket që të jetë e mjaftueshme për t’i qetësuar protestat dhe studentët të kthehen në universitet. Ky proces politik do të vazhdojë. Është vetëm fillimi ndoshta i një lindje të një grupimi të ri politik në Serbi, por do ta shohim se si do të jetë plani i presidentit Vuçiq që ka konferencë të jashtëzakonshme sot në mbrëmje. Qeveria ka poashtu mbledhje të jashtëzakonshme më vonë. Ka kërkesa më shumë se kaq (flet për protestuesit”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Seferit, stacioni i trenit në Novi Sad është prej projekteve të mëdha për të cilat është krenuar Vuçiqi.
“Ato dokumentacionet për ndërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad janë publikuar së fundmi, pasi qeveria vendosi t’i bëjë publike, edhe pse në kontratë ishte sekrete... sipas tyre streha e rrëzuar në Novi Sad kishte disa përforcime, çka mund ta kenë rënduar. Ky ka qenë një nga projektet më të suksesshme me të cilat krenohet presidenti Vuçiq - ku treni arrinte shpejtësi 200 km/h dhe është pjesë e projektit të madh për ta lidhur Novi Sadin me Budapestin”, ka shtuar ai.
Gazetari që jeton në Beograd ka thënë se sfida e Vuçiqit do të jetë për ta kaluar këtë krizë politike.
“Ajo që do ta ketë sfidë Vuçiqi është se opozita dhe studentët kërkon të ndryshojnë sistemin në Serbi. Opozita thotë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa u krijuar qeveri teknike, e cila do të ishte gjithëpërfshirëse dhe do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve demokratike. Në zgjedhjet e fundit, është parë sa parregullsi ka. Dalja nga kriza politike do të jetë pak më e vështirë se veç dorëheqja e kryeministrit”, ka deklaruar Seferi.
Vuçeviqi dha dorëheqjen sot më 28 janar.
Në Serbi, sipas Kushtetutës, kryerparlamentari do ta njoftojë presidentin dhe në seancën e radhës, konstatohet dorëheqja e kryeministrit. Mandati i Qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes.
Presidenti detyrohet të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re, që nëse nuk zgjidhet brenda 30 ditëve nga dorëheqja e kryeministrit paraprak, presidenti detyrohet ta shpërndajë Kuvendin dhe t’i shpallë zgjedhjet e reja.