Arbëri

Sefaj: Krejt pozitat me ushtrues detyre janë të kundërligjshme. Reagon deputeti Ramadani

Valon Ramadani - Ali Sefaj

Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, ka thënë se të gjitha pozitat me ushtrues detyre janë të kundërligjshme.

Në emisionin “Konfront”, ai foli edhe për nepotizimin, që sipas tij, ekziston edhe në këtë Qeveri.

Në këtë i reagoi deputeti Valon Ramadani, që vjen nga partia në pushtet - Vetëvendosje.

Sipas tij, të gjithë ushtruesit e detyrave janë konform ligjeve, e po ashtu u shpreh se nuk ka nepotizëm sikurse në qeveritë e kaluara.
 


Deputeti Ramadani për numrin e madh të ushtruesve të detyrës: Brenda ligjit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, ka thënë se të gjithë zyrtarët që aktualisht shërbejnë si ushtrues detyre nëpër institucione, janë në kuadër të ligjit aktual për zyrtarët publikë.

Duke mos përmendur shifra të numrit të zyrtarëve që janë ushtrues detyre, Ramadani në emisionin “Konfront” të KTV-së ka thënë se zyrtarët që shërbejnë si ushtrues detyre nuk i shërbejnë politikës.  

“Nuk është interes as i kësaj qeverie të jetë me ushtrues detyre. Nuk e di interes i kujt është. Detyrat i ka si ushtrues detyre si i rregullt njësoj. Nuk është e vërtetë se janë jashtëligjshëm. Ligji në fuqi ia jep mundësinë 6 muaj plus gjashtë muaj. Të gjithë ata që janë sot, janë brenda Ligjit për zyrtarët publikë që është në fuqi”, ka thënë ai.

Ramadani ka thënë se ai ka propozuar që në ligjin e ri të lihet një vit mundësia e kryerjes së funksionit si ushtrues detyre, “përveç në rastet e rekrutimit”.


Shamolli: Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave anuluan konkurset pasi nuk ditën t'i përgatisin

Hulumtuesi i lartë në GLPS, Naser Shamolli, ka thënë se ka raste kur në Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Financave janë anuluar konkurset për shkak se nuk janë përgatitur si duhet. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Shamolli ka thënë se për shkak të ndryshimit të sistemit, këto ministri nuk kanë ditur të përgatisin konkurset në bazë të legjislacionit në fuqi, andaj edhe janë anuluar.

“Nga një sistem i centralizuar që ka qenë nga paslufta kemi kaluar në sistem të decentralizuar dhe ka prodhuar mjaft pasoja në praktikë. Ministria e Bujqësisë e ka anuluar konkursin thjeshtë sepse nuk ka ditur ta përgatisë në bazë të legjislacionit në fuqi. Të njëjtën dukuri e kemi te Ministria e Financave dhe Transfereve. Ky element i decentralizimit po i tregon pasojat. Nëse kombinohet me rregulloren tjetër që është rregullorja për klasifikimin e vendeve të punës ku janë ulur kriteret në mënyrë të paargumentuar, të palogjikshme, pa asnjë justifikim”, ka thënë ai.